Lajme

Në Stubëll mbahet Manifestimi tradicional, kulturor e shkencor "Takimet e Dom Mikelit"

Takimet e “Dom Mikelit” janë ngjarjet më të rëndësishme që organizohen në Komunën e Vitisë dhe një ndër ngjarjet më të rëndësishme edhe për Ipeshkvinë e Kosovës, në shenjë të nderimit dhe respektimit të fillimit të punës së Shkollës së parë shqipe në Kosovë, që ishte hapur në objektin e kishës së vjetër katolike dhe mësues i parë i kësaj shkolle ishte Dom Mikel Tarabulluzi.
Më 28 shtator 1991 kanë filluar për herë të parë “Takimet e Dom Mikelit”, nën udhëheqjen e famullitarit të atëhershëm të Stubllës Don Rrok Gjonlleshaj. Edhe sivjet u zhvillua manifestimi tradicional, kulturor e shkencor “Takimet e Dom Mikelit”, i cili ka shënuar vjet dy dekada të organizimit, mbahet të shtunën, më 25 shtator 2010 në Stubëll të Vitisë për të njëzetenjëtën herë me radhe dhe i kushtohen hapjes së Shkollës së parë shqipe në Kosovë.
Në orën 10:00 u kremtua Mesha Shenjte nga Don Lush Gjergji, Vikar gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës. Menjëherë pas Meshës Shenjte u pasua me Tribunën Shkencore, me kumtesën e paraqitur të Don Lush Gjergjit mbi Jubileun e 100 vjetorit të lindjes së të Lumes Nënës Tereze.
Risi kësaj radhe është edhe zbulimi solemn i Memorialit të martirëve të Karadakut si dhe shpallja zyrtare e Muzeut Kombëtarë të Shkollës së Parë shqipe në Kosovë.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Lutfi Haziri, bëri shpalljen e Muzeut Kombëtar të Shkollës së Parë shqipe në Kosovë. Në bazë të njohurive tona, mbështetur në shumë të dhëna e studiues të shumtë, vendorë e të huaj, Ipeshkëvia e Kosovës konfirmon si Shkollë të Parë Shqipe, shkollën në Stubëll të Epërme.
Funksionimi  i kësaj shkolle, me ndërprerje të herëpashershme, për shkak të rrethanave historike në të cilat u gjend populli ynë, përcillet që nga viti 1584, i njohur si Kolegji i Shën Lukës, themelet e të cilit deri vonë janë ruajtur nga banorët vend për të vazhduar gjer më 1905 kur Stublla pavarësohet si famulli. Ky vit ndërkaq shënon edhe mbështetjen financiare të shkollës nga ana e Austro-Hungarisë, së këndejmi dhe njohjen ndërkombëtare të saj.
Poashtu u bë zbulimi i Memorialit të Martirëve, nga znj. Nurije Hoxha, përfaqësuese e Ambasadës së Francës në Prishtinë.
Më pas siç është bërë traditë u  zhvillua “Ora e Madhe Letrare”, ndarja e çmimit “Agim Ramadani” për tri poezitë më të mira si dhe çmimi i kompozitorit Akil Koci.