Lajme

Fra Aleksandër Tanushi shugurohet Diakon

Më 19 shtator, në orën 11:00, në Kishën e Shën Pjetrit e Shën Palit në Gjakovë u bë shugurimi diakonal i seminaristit Aleksandër Tanushit. Shugurimi u bë nga duart dhe lutja e ipeshkvit tonë, Imzot Dodë Gjergji dhe gjatë këtij kremtimi ishin të pranishëm shumë meshtarë nga Kosova, Shqipëria dhe Sarajeva, ku Fra Aleksandri ka kryer formimin dhe studimet teologjike. Për këtë shugurim ishte në festë famullia e Gjakovës  dhe në gëzim fretërit e Gjakovës.
Në predikimin që pati ipeshkvi foli për rëndësinë e sakramentit të meshtarisë dhe u bëri thirrje djemëve të kësaj famullie të “lërë gjithçka dhe të marrin kryqin e Krishtit e të shkojnë pas Tij”.
Diakonati është hapi i parë drejt hirit të Urdhrit Meshtarak. Është diakoni ai i cili ndihmon Ipeshkvin dhe Meshtarin në kremtimin e Meshës së Shenjtë. Diakonit të ri – ia kujtoi Ipeshkvi - detyrat dhe obligimet që i ka në kishë. Diakoni duhet ta predikoj Ungjllin, ta dëshmojë atë dhe me jetën e vet ta jetoj. Diakoni mund ti kryej të gjitha detyrat e meshtarit, përpos të celebron meshën dhe të ndan sakramentin e rrëfimit.
Gjatë drekës Imzot Doda, i falenderoi të gjithë, por në veçanti e falenderoi Nënën e fratit, që e lindi dhe e rriti vetëm për Krishtin dhe Kishën e Tij.

Kush është Fra Aleksandër Tanushi?
 
Fra Aleksandër Tanushi është nga Novosella e Epërme, famullia e shën Rrokut në Novosellë. Është i lindur më 09 gusht 1983 në Gjakovë nga prindërit † Jozef dhe Veronika Tanushi, l. Marjakaj. I pagëzuar është më 20 gusht 1983, ndërsa i krezmuar më 01 qeshor 1998. Shkollën fillore e ka përfunduar në Novosellë të Epër, kurse gjimnazin në Gjakovë.
Në postullatur të Rregullit Françeskan  të Provincës Bosna Srebrena ka hyr në shtator të vitit 2002. Zhgunin françeskan e ka veshur në Jajcë (Bosnjë) më 13. korrik 2003, ku njëherit fillon noviciatin në Kuvendin Françeskan në Gorica – Livno. Kushtet e para i pranon më 25 korrik 2004 në Gorica – Livno, kushtet e përjetshme, më 15 shtator 2008 në Bihać.
Fra Aleksandri i ka përfunduar studimet të cilat kërkohen për shugurimin diakonal. Me rastin e shugurimit diakonal i dëshirojmë shumë bekime në vreshtën e Krishtit sipas karizmës françeskane. Jezu Krishti Zot qoftë ndihma e tij.