Binça

photo

Binça është pjesë e zonës së Karadakut e cila gjendet në periferi të komunës së Vitisë. Nëpër Binçë  kalon lumi Morava e Binçës dhe një degë e paemërtuar e këtij lumi. Në Binçë jetojnë dy kombësi ajo shqiptare-katolike dhe serbe. Rreth emërtimit të fshatit ka disa mendime, disa thonë se emri  Binça rrjedh prej fjalës Bis apo Binekses sipas dy lumenjve që ka ky vendbanim. Por ka edhe mendime të tjera se emri Binça rrjedh prej qytetit të lashtë Romako-Ilirë Arribantium.

Themelimi i Famullisë së Binçës

Para se të themelohet famullia e Binçës, ajo ishte filial e famullisë së Letnicës Këtë famulli e ka themeluar ipeshkvi i atëhershëm i Shkupit Imzot Smiljan Franjo Çekada në vitin 1946, pikërisht në 100 vjetorin e fillimit të martirizimit të martirëve të Karadakut (1846-1848) të Binçës, Stubllës, Vërnakollës dhe Terziajve. Famullitari i parë i famullisë së Binçës ishte Don Dedë Ramaj.

 

Ndërtimi i Kishës së Shën Ndout

Ndërtimin e Kishës së Binçës e filloi Don Luka Cirimotiç, më 1963 pastaj e vazhdoi Don Vjekoslav Ivanoviç dhe e përfundoi Don Nikola Duçkiç. Kisha e Binçës i është kushtuar Shën Ndout, edhe pse Imzot Smiljan Franjo Çekada në bekimin e gurë themelit Kishën ia kushtoi Shën Gjon Maria Vianney, që kremtohet më 4 Gusht si pajtorë i thirrjeve meshtarake. Mirëpo populli me shekuj e nderonte Shna Noun e për këtë kjo Kishë më vonë i është kushtuar Shën Ndout, ndërsa si pajtorë i dytë mbeti Shën Gjon Vianney.
Shenjti i familjeve të Binçës është Shën Elia Profet si njet dhe kusht i martirëve tanë. Të parët e Binçës e kishin bërë këtë njet të trefishtë: Nëse mbesim gjallë, shqiptarë dhe të krishterë, atëherë do ta kremtojmë Shën Elinë Profet si pajtorë i familjeve tona. Përveç Kishës në Binçë është ndërtuar edhe shtëpia e famullisë në vitin 1975-1978.
Në vitin 1961 u themelua Kuvendi i Shën Palit Motrat e Dashurisë Hyjnore, të cilat edhe sot shërbejnë në famulli.
Në kuadër të famullisë së Binçës hyn edhe Kabashi dhe Vitia. Në Kabash në vitet e ’80-ta është ndërtuar Kisha kushtuar Shën Nikollës, ndërsa në Viti në vitin 2003 ka filluar ndërtimi i Kishës kushtuar Zemrës së Krishtit e në kuadër të së cilës është edhe Qendra Multifetare.
Binça i ka këtu 45 familje me 310 besimtarë, jashtë janë 507 besimtarë. Kabashi i ka 119 familje këtu me 712 besimtarë.  812 besimtarë janë jashtë. Vitia  i ka 14 familje me 80 banorë këtu dhe 50 jashtë. Gjithsejtë 130 besimtarë.
Pra, famullia e Binçës gjithsejtë i ka 2471 besimtarë. Këtu janë 1102 besimtarë.  Në botën e jashtme janë 1369 edhe atë pothuajse në të gjitha vendet e Evropës: Në Zvicër, Gjermani, Austri, Kroaci, Itali, Danimarkë, Suedi dhe në SHBA.

 

Thirrjet Meshtarake dhe Rregulltare

Bashkësia jonë Famullitare ka dhënë shumë thirrje meshtarake dhe rregulltare: 14 meshtarë,  njëri prej tyre ishte edhe Ipeshkëv i Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi. Nga ky numër meshtarësh 10 janë gjallë,ndërsa dy kanë kaluar në amshim: Don Pjetër Berisha dhe don Gjergj Berisha. Famullia e Binçës ka gjithashtu edhe 20 motra të nderit.

Famullitarët që kanë shërbyer në Famullinë e Binçës prej themelimit të saj:

  1. Don Dedë Ramaj (1946-1960)
  2. Don Luka Cirimotiç (1960-1967)
  3. Don Vjekoslav Ivanoviç (1967-1970)
  4. Don Nikola Duçkiç (1970-1974)
  5. Don Pjetër Berisha (1974-1975)
  6. Don Ndue Gjergji (1975-1993)
  7. Don Lush Gjergji (1993-2007)
  8. Don Albert Demaj (2007-    )