Shpjegime rreth disa termave kishtarë
Që nga shekulli i tretë, është bërë e zakonshme që njerëzit të takohen në një ndërtesë të veçantë, në kishë. Ndërtesa e kishës nuk është në vetvete një vend i veçantë, por dinjitetin e vet e gjen nëpërmjet mbledhjes së popullit të Zotit në të dhe takimit të saj të përjetuar në meshë/shërbesë liturgjike. Sipas të kuptuarit të krishterë, Zoti dëshiron të jetë i afërt me njeriun në çdo vend dhe në çdo kohë.
Te kushtimi, respektivisht shugurimi i kishës, një kishë si një vend takimi i jepet bashkësisë fetare. Shugurimi i kishës zakonisht bëhet nga ipeshkvi i vendit, por mund të bëhet edhe nga një i dërguar i posaçëm i Selisë së Shenjtë.
Kardinali është një titull shpirtëror i Kishës Romane Katolike. Me anë të tij i tregohet respekti më i lartë pas Papës. Titulli “kardinal” i dhënë për gjithë jetën e thërret bartësin të jetë veçanërisht përgjegjës për administrimin e gjithëmbarshëm të Kishës në Kolegjin e Kardinalit, si dhe Kurinë Romane, dhe në thelb ka të drejtë të marrë pjesë në konklavë (dmth. në përzgjedhjen e papës së ri) deri në moshën 80 vjeçare. Ipeshkëvinjtë dioqezanë me titullin kardinal përveç administrimit të ipeshkëvisë së tyre gjithashtu kryejnë këto detyra, ndërsa kardinalët e Kurisë kanë një funksion udhëheqës, të krahasueshëm me një ministër, në Kurinë e Romës.
Respektin e rezervuar të kardinalit, si rregull, ua jep Papa ipeshkëvinjve të zgjedhur, të merituar. Kolegjiumi i Kardinajve është i ndarë sipas një radhitje respekti,në tre klasa kardinajsh, me dekanin e kardinajve si prijës. Nga 224 kardinalë, sa janë aktualisht, 121do të ishin të pranueshëm për konklavën.
Në zgjedhjen e personave, Papa është i pavarur dhe i lirë. Që nga 15 prilli 1962, vetëm ipeshkëvinjtë janë emëruar kardinalë. Në praktikën e tanishme, ka përjashtime, për shembull, kur priftërinjtë emërohen kardinalë për merita të veçanta. Sipas normave të Codex Iuris Canonici (Kodit të së drejtës kanonike) ata duhet të shugurohen ipeshkëvinj. Megjithatë, me kërkesë të kardinalit të përzgjedhur, Papa mund të heqë dorë nga ky detyrim. Ky përjashtim aktualisht zbatohet për Albert Vanhoye dhe kardinalin tonë shqiptar Ernest Simoni-Troshani.
Ekzistojnë tri klasa (rende): ipeshkëvinjtë kardinalë, priftërinjtë kardinalë dhe diakonët kardinalë.
Ernest Simoni (lindur me 18 tetor 1928) është kardinali i dytë shqiptar i bërë më 9 tetor 2016 nga Papa Françesku.
Ernest Simoni lindi në Troshan më 9 tetor 1928, në një familje katolike. Në moshën dhjetë vjeçare hyri ne Kolegjin Françeskan, ku qëndroi deri në vitin 1948 kur regjimi komunist i Enver Hoxhës mbylli kuvendet rregulltare gjatë një vale anti-fetare dhe përndjekëse. Nga viti 1953 deri 1955 beri shërbimin ushtarak të detyruar. Më 7 prill 1956 u shugurua meshtar në moshën 28 vjeçare.
Më 24 dhjetor 1963 Natën e Krishtlindjes gjatë celebrimit të Meshës në Kishën e Barbullushit u arrestua nga forcat autoritare komuniste. U dënua me vdekje, por ky dënim u ndërrua në burg dhe punë të rëndë për 25 vjet. Ai u lirua pas 18 vitesh.
Që prej viteve 90, ai ushtron shërbesën e tij priftërore në shumë fshatra katolike.
E paharrueshme do të mbetet dëshmia e tij para Atit të Shenjt Françeskut gjatë vizitës së këtij të fundit në Tiranë, më 21 shtator 2014, dëshmi e cila përloti jo vetëm Papën për realitetin e vuajtjeve të Dom Ernestit, por mbarë opinionin botëror. Atë ditë Papa i porositi të pranishmit: Tani shkoni në shtëpitë tuaja me vetëdijen se e kemi takuar e prekur një martir të gjallë. Në kujtesën e të gjithëve do të mbetet figura e një meshtari të mirë e të palodhur në përhapjen e fesë së krishterë. Është pikërisht kjo arsyeja që papa Francesku me 19 nëntor 2016 shpalli gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit, Kardinal nderi. U bë kardinal së bashku me gjashtëmbëdhjetë prelatë të tjerë nën titullin Santa Maria della Scala.
Pas shenjtërimit të Nënë Terezës dhe lumturimit të 38 martirëve në Shqipëri, kurorën e këtyre bekimeve Papa Françesku do ta plotësonte me shpalljen e Don Ernest Troshanit kardinal nderi. Kështu bëhet i dyti kardinal Shqiptar. Kardinali tjetër përpara Don ishte Don Mikel Koliqi edhe ai i shpallur kardinal prej tashmë Shën Gjon Palit II për dëshminë e jetës së krishterë dhe për martirizimin.
Vlerësimi i klerit shqiptar të përndjekur dhe martirizuar gjatë komunizmit është shenja se ky kler, i ka dhënë shumë Kishës Katolike Universale, sidomos me martirizimin e tij gjatë komunizmit.
Si organizata fetare më e mirëstrukturuar në Shqipëri, me lidhje të shumëfishta me anën tjetër të Perdes së Hekurt dhe me një klasë klerikësh të arsimuar më së miri, kisha Katolike qe institucioni që u pa si më i rrezikshmi në Shqipëri.
Ecuria e shkurtër e ritit të shugurimit të kishës
Që nga shekulli i 4-të është zakon që një kishë të fillojë të përdoret në formë solemne, para së gjithash në një festë solemne eukaristike. Sot, një kishë e re kushtohet, respektivisht shugurohet nga ipeshkvi i vendit.
Riti i shugurimit të kishës dhe altarit ndodhet në librin zyrtar të kishës “Pontificale” (1994). Pas procesionit hyrës dhe hapjes liturgjike, ripërtërihet dëshmia e pagëzimit. Kisha dhe hapësira e kishës spërkaten me ujë të bekuar. Pas Ungjillit dhe predikimit vijon kushtimi apo shugurimi në kuptimin e plotë të fjalës, i cili hapet me litanitë – ku thirrën në ndihmë ndërmjetësia e shenjtërve dhe shenjtëreshave të Kishës katolike. Vijon vendosja e relikteve në vendin e përshtatshëm pranë altarit. Pastaj altari pastrohet me ujë të bekuar dhe lyhet me bagmin e shenjtë. Gjithashtu me këtë vaj të shenjtë lyhen edhe dymbëdhjetë kryqet e apostujve në muret e kishës. Mbi altar digjet temjani apo kemi, shoqëruar nga një këngë e kënduar e bashkësisë dhe lutja e kushtimit nga ana e ipeshkvit. Kjo pasohet nga kremtimi eukaristik. Tabernakulli (vendi ku ruhen hostjet e shuguruara – buka e shenjtë, korpi i Krishtit me të cilin ushqehen besimtarët) bekohet para përdorimit të tij të parë pasi të jenë kunguar besimtarët.
Kushtimi/shugurimi i kishës
Kushtimi ose dedikimi i Kishës është akt i shugurimit të një kishe përmes të cilit hapësira e kishës i jepet për përdorim liturgjik bashkësisë kishtare; te kushtimi i një kishe kryesore të vendit, përdoret gjithashtu gjerësisht koncepti i shugurimit të katedrales. Kushtimi i një kishe bëhet kur një kishë e ndërtuar e re, ose p.sh. pas një renovimi, përdoret për herë të parë si shtëpi e Zotit.
Titulli i kishës
Çdo kishë që duhet të kushtohet duhet të ketë një titull. Titujt e Kishës mund të jenë: Trinia tejet e shenjtë; Zoti ynë Jezu Krishti, me emërtimin me një prej mistereve të tija të kremtuara liturgjikisht ose emrin e tij; Shpirti Shenjt; Zoja e Bekuar Mari me një nga titujt e saj liturgjikë; Engjëjt e shenjtë; Së fundi, çdo shenjt i pranuar në Martyrologium-in Roman ose në shtojcën e tij të miratuar, një i lum, por me miratimin e Selisë Apostolike. Kisha duhet të ketë vetëm një titull, përveç nëse kemi të bëjmë me shenjtër, të cilët janë të shënuar së bashku në kalendar.
Është zakon tradicional i liturgjisë romane, për t`i futur reliktet e martirëve ose të shenjtërve të tjerë pranë altarit.
Emërtimi i kishës
Kishat janë vendet e përcaktuara për liturgji, për të kryer shërbesën hyjnore. Kisha në liturgji në rend të parë kremton misterin e Pashkëve, d.m.th. jetën, mundimet, vdekjen, ngjalljen e Jezu Krishtit – të gjitha ato nëpër të cilat Krishti e ka kryer veprën e shëlbimit. Rolin e vet në veprën shpëtimprurëse e ka Nëna e Jezusit, e kanë edhe të gjithë shenjtërit dhe të lumturit – kështu edhe ata nderohen dhe atyre u kushtohen kishat.
Liturgjia, veçanërisht eukaristia (mesha e shenjtë), është aktualizimi, ditësimi i veprës shpërblimtare të Jezusit për pjesëmarrësit e kremtimit liturgjik kështu që është logjike që kushtimi i kishave, përkatësisht dhënia e titullit/pajtorit, të pëlqehet në rend të parë me veprën shëlbuese të Jezusit.
Pajtori (mbrojtësi)
Pajtor sipas kuptimit të krishterë është një shenjtë apo shenjtëreshë (një shenjtë pajtor/mbrojtës), të cilit/së cilës i lidhet një fushë veprimi lokal apo specifik nëpërmjet një shugurimi, respektivisht kushtimi apo dedikimi. Mbrojtjes së tij/saj i nënshtrohet një objekt i caktuar, një fushë, një profesion apo veprimtari e caktuar.
Sipas mësimit të Kishës Katolike shenjtërit nuk kanë kurrfarë fuqie hyjnore apo magjike. Mirëpo besimtarët guxojnë t`i thërrasin, t`u drejtohen shenjtërve. Besimi në shenjtër bën pjesë në traditë dhe është pjesë e Kredos (Besojmës): “Besoj ... në shoqërinë e shenjtërve”. Shenjtërit mund të ndërmjetësojnë me lutje për njerëzit. Në litanitë e të gjithë shenjtërve thërriten një numër i madh shenjtërish me emrat e tyre dhe me “... lutu për ne”. Shtetet, regjionet, vendet, pozitat e jetës dhe profesionit, kishat e kanë një pajtor/mbrojtës.
Nëse një shenjti i tregohet një mirëbesim për mbrojtjen e një vendi, flitet për pajtorin (mbrojtësin) e vendit. Kjo marrëdhënie zakonisht vendoset në atë mënyrë, që kisha lokale e vendit shugurohet duke ia kushtuar pajtorit dhe për këtë arsye e mbartë edhe emrin e tij/saj. Brenda saj por edhe jashtë kishe ndodhen piktura, trupore shpesh herë edhe reliktet e shenjtit apo shenjtëreshës. Nganjëherë ekzistojnë edhe më shumë se një pajtor.
Shenjtëria e krishterë
Shenjtëria e krishterë i ka dy komponentë. Nga njëra anë Zoti si në Besëlidhjen e Vjetër ashtu edhe në të Renë e zgjedh një “popull të shenjtë”: Populli i Israelit dhe i ashtuquajturi “populli i shenjtë i ri” i Kishës. Nga ana tjetër emri ka të bëjë me shenjtërinë e personave veç e veç, të cilët nëpërmjet zbatimit të ndjekjes së Krishtit e kanë arritur një shkallë të veçantë të hirit dhe shëlbimit. Shenjtëria individuale më atë rast është vetëm manifestim i shenjtërisë si anëtar i kishës, që në tërësinë e saj paraqet “shoqërinë e shenjtërve”.
Nderimi i shenjtërve
Nderimi i hershëm i krishterë i shenjtërve është vazhdimësi e formave të njohura të besimit të Hebrenjve. Atje ishin të njohur kryepriftërinjtë si “ndërmjetësues zyrtar” të njerëzve, ndërmjetësia e engjëjve në mes Zotit dhe njerëzve, nderimi i personaliteteve të mëdha të së kaluarës si edhe martirizimi.
Funksioni kryepriftëror i ndërmjetësimit u mbartë krejt mbi Krishtin dhe vetëm pas shpjegimit të qartë teologjik të etërve të hershëm të kishës, se nderimi i njerëzve të tjerë, që e kanë ndjekur Krishtin, të cilët nuk e dëmtojnë veçantinë e ndërmjetësimit të Krishti, fillon Kisha e hershme t`i thërrasë martirët dhe apostujt.
Spërkatja me ujë të bekuar
Qysh në Besëlidhjen e Vjetër emri “ujë” përdoret mbi 500 herë. Uji përmendet në zanafillë kur Zoti krijoi qiellin e tokën (Zan 1,1), pastaj te përmbytja me ujë (Zan 6, 5-9,17), te kalimi nëpër shkretëtirë dhe Detin e kuq, te Jona profet dhe shpëtimi i tij (Jon 4, 1-26).
Disa shembuj të rëndësishëm në Besëlidhjen e Re ku përmendet uji janë: pagëzimi i Jezusit (Mk 1, 9-11), biseda te bunari i Jakobit (Gjn 4, 1-26), larja e këmbëve (Gjn 13, 1-20).
Deri më sot të krishterët pagëzohen me ujë dhe me Fjalën e Zotit. Pagëzimi është simbol i vdekjes dhe ringjalljes së Krishtit (Rom 6,3). Një kohë të gjatë – por edhe sot në disa vende – njerëzit pagëzohen duke u zhytur tri herë në ujë tërësisht, simbolikisht si të kishin vdekur për t`u ngritur pastaj sërish, ashtu siç vdiq Jezusi në kryq dhe pas tri ditësh sërish është ngjallë.
Në hyrje të kishave katolike ndodhet një ujëmbajtës me ujë të bekuar, me të cilin të krishterët bëjnë kryq kur hyjnë në kishë dhe kur dalin prej saj. Përpara këtu në hyrje/dalje qëndronin ujëmbajtës më të mëdhenj në të cilët laheshin duart për të qenë të pastër. Sot uji paraqet një pastrim simbolik dhe një kujtim të pagëzimit personal.
Në meshën festive të vigjiljes së Pashkëve çdo vit bekohet uji i pagëzimit. Meshtari e mban qiriun e Pashkëve të ndezur si simbol i Krishtit në ujë duke thënë tri herë: “Le të zbret në begatinë e këtij burimi fuqia e Shpirtit Shenjt”. Me këtë ujë spërkaten besimtarët për ta kujtuar pagëzimin e vet dhe për ta ripërtërirë atë. Kështu dhe në shumë momente të tjera jeta e një të krishteri formohet nga uji i jetës.
Bekimi
Të bekosh do të thotë të thërrasësh mirësinë, afërsinë, mëshirën e Zotit mbi veten apo mbi dikë. “Zoti të bekoftë” është dëshira më e shkurtër e bekimit.
Çdo i krishterë duhet ta thërras bekimin e Zotit, për vete dhe për njerëz të tjerë. Prindërit mund t`ia bëjnë shenjën e kryqit fëmijëve të vet mbi ballë. Njerëzit që duhen në mes veti mund ta bekojnë njëri-tjetrin. Meshtari me fuqinë e shërbesës bekon në mënyrë eksplicite në emër të Jezusit dhe me misionin e Kishës. Lutja e tij e bekimit në mënyrë të veçantë vepron nëpërmjet shugurimit meshtarak dhe fuqisë së lutjes së mbarë kishës.
Shenja e kryqit (të bërit kryq)
Nëpërmjet shenjës së kryqit vendosemi nën mbrojtjen e Trinisë shenjte.
Në fillim të ditës, në fillim të lutjes por edhe në fillim të ndërmarrjeve të rëndësishme një i krishterë e vendos veten nën shenjën e kryqit dhe kështu e fillon punën e vet në “emër të Atit, e të Birit e të Shpirtit Shenjt”. Thirrja me emër e Zotit Trini, prej të cilit jemi të përshkuar nga të gjitha anët, i shenjtëron gjërat që i ndërmarrim; na dhuron bekimin dhe na forcon në vështirësi dhe tundime.
Nëpërmjet Krishtit kryqi u bë një mister, një fshehtësi. Gjithmonë ka qenë kryqi një figurë apo imazh për të treguar që njeriu nga njëra anë ndodhet në tokë dhe zgjerohet në të gjitha anët dhe nga ana tjetër drejtohet dhe zgjerohet pakufi përmbi. Tani në kryq vijnë bota, njerëzit dhe Zoti dhe bashkohen. Me Jezu Krishtin Zoti vjen si njeri në botë, në grazhd bëhet i vogël dhe lejon që të goditet në kryq, mirëpo kalon nëpër vdekje përtej, ngjallet dhe sërish ngjitet në qiell. Jezu Krishti shtrihet në kryq në mes lartësisë dhe thellësisë, e përqafon ashtu të themi tërë botën dhe e sjell qiellin e tokën sërish së bashku, i tejkalon të gjitha kundërshtitë në botë dhe në ne.
Reliktet
Fjala “relikt” vjen nga fjala latine “relinquere”, që do të thotë "lë pas"; fjalë për fjalë "mbetje".
Fjala është për mbetjet trupore të martirëve ose shenjtërve të tjerë, ose objektet apo sendet që kanë qenë në kontakt me ta (prandaj, besimtarët i prekin), ose që ndërlidhen me jetën tokësore të Krishtit. Për nderim të veçantë, reliktet mbahen në mbajtëse apo enë të çmuara (relikuiar) dhe vendosen në një vend të përshtatshëm afër altarit.
Lyerja e altarit dhe e mureve të kishës
Fjala “altar” vjen nga fjala latine “altus” që do të thotë "i lartë, i ngritur"; Tryeza e ngritur/lartësuar sakrifikuese, në Kishën katolike është vendi qendror i kremtimit eukaristik.
Mbi altar, prifti kryen shndërrimin e bukës dhe të verës në mishin dhe gjakun e Krishtit. Tradicionalisht, një relikte lihet te altari në mënyrë që simbolikisht të përfaqësojë një varr të shenjtë. Kështu, besimtarët ende qëndrojnë në traditën e të krishterëve të parë, të cilët mblidheshin në varret e shenjtërve të tyre për të kremtuar Eukaristinë – meshën e shenjtë.
Vaji i bekuar është ai që përdoret në misteret e shenjta që quhen “sakramente”: në pagëzim, krezmim, shugurimin priftëror dhe ipeshkvor. Vaji i shenjtë përdoret gjithashtu në shugurimin e altarëve dhe kishave. Ka edhe emërtime të tjera, si p.sh. “bagmi” apo “krizma” – është një vaj ulliri, i cili është balsam (erëmirë) i përzier. Kjo vajosje – ky shugurim, është një shenjë që shpreh: Shpirti i Zotit kalon te i shuguruari, apo gjëja që shugurohet, miroset, lyhet. |
Vajimi – shugurimi
Formula e shkurtër "Jezusi është Krisht" shpreh thelbin e besimit të krishterë: Jezusi, i biri i zdrukthëtarit të thjeshtë nga Nazareti, është i shumëprituri Mesia dhe Shpëtimtari.
Si fjala greke"Christos" ashtu dhe fjala hebraike"Mesia" do të thotë"I Shuguruari/I Vajosuri". Në Izrael mbretërit, priftërinjtë dhe profetët shuguroheshin, respektivisht vajoheshin. Apostujt e përjetuan se Jezusi u shugurua"me Shpirtin Shenjt" (Vap 10,38). Ne quhemi të krishterë sipas Krishtit, si shprehje e vokacionit tonë të lartësuar.
Kemimi e altarit dhe e kishës
Kemi është një rrëshirë e përfituar nga lëvorja e bimëve të temjanit (olibanum), që kur digjet krijon tym dhe përhap aromë erëmirë.
Pemët e tilla rriten në zona të thata përreth Bririt të Afrikës (Somalia, Etiopia, Eritrea, Sudani), Arabia Jugore dhe India. Temjani apo kemi ka shërbyer në kulte të lashta orientale dhe antike si tymosje. Është simbol i nderimit të Zotit dhe adhurimit, nderimit të personave dhe simbol i bekimit. Kështu temjani bën pjesë te dhuratat e çmuara të tre mbretërve, apo të urtëve të ardhur nga lindja për ta adhuruar Jezusin (Mt 2, 11).
Në Kishën Katolike kemi/temjani përdoret para së gjithash në shërbime të veçanta festive liturgjike, të meshëve të shenjta: kemohet prifti, meshtarët dhe besimtarët, altari, dhuratat eukaristike, Ungjilli, kryqi dhe qiriu i Pashkëve.
Kuptimi dhe dinjiteti i ndërtesës së kishës
Krishti, nëpërmjet vdekjes dhe ringjalljes, është bërë tempulli i vërtetë dhe i përkryer i Besëlidhjes së Re dhe ka mbledhur një popull rreth tij si pronë e tij. Ky popull i shenjtë është kisha. Hyji Trini është origjina e unitetit të saj. Është tempulli i ndërtuar nga gurët e gjallë në të cilin Ati adhurohet në shpirt dhe në të vërtetën. Prandaj me të drejtë që nga kohët e lashta quhet "Kishë" në të cilën bashkësia e krishterë mblidhet për të dëgjuar fjalën e Zotit, për t'u lutur së bashku, për të marrë sakramentet dhe për të kremtuar Eukaristinë.
Si një ndërtesë e dukshme, kjo shtëpi është një shenjë e veçantë e kishës shtegtare në tokë, dhe në të njëjtën kohë imazhi i kishës që tashmë është në qiell.
Nëse një ndërtesë e kishës është e destinuar ekskluzivisht dhe në mënyrë të përhershme për popullin e Zotit të mblidhet në të dhe të kremtojë meshën e shenjtë, atëherë sipas zakonit të lashtë të krishterë duhet t'i kushtohet Zotit me një veprim solemn.
Ç`do të thotë “Kishë”?
Fjala “kishë” rrjedhë nga greqishtja "εκκλησια"(eklesia) që do të thotë “të thirrur [për të dalë]”. Të gjithë ne që jemi të pagëzuar dhe besojmë në Zotin jemi të thirrur nga Hyji. Bashkë me njëri-tjetrin jemi kishë. Krishti është, siç thotë Shën Pali, kryet e Kishës. Ne jemi gjymtyrët e tij.
Kur i marrim sakramentet dhe dëgjojmë fjalën e Hyjit, Krishti është në ne dhe ne jemi në të – kjo është Kisha. Marrëdhënien e ngushtë personale jetësore të të gjithë të pagëzuarve me Jezusin Shkrimi Shenjt e përshkruan me imazhe gjithmonë të reja: njëherë flet për popullin e Hyjit, herën tjetër për nusen e Krishtit; njëherë Kisha quhet Nënë, pastaj familje e Hyjit, ose krahasohet me bashkësinë në dasmë. Kisha kurrë nuk është vetëm një institucion i zakonshëm,kurrë nuk është thjesht një"kishë zyrtare", të cilën do të mund ta shtynim larg nga vetja. Gabimet dhe njollat e Kishës na zemërojnë, por që nuk mundtë distancohemi kurrë prej saj, sepse Hyji ka vendosur në mënyrë të parevokueshme të qëndrojë në anën e saj dhe përkundër të gjitha mëkateve të anëtarëve të saj ai nuk e lë atë. Kisha është prania e Hyjit ndër ne njerëzit. Prandaj,nevojitet ta duam.
Përse mund të ekzistojë vetëm një Kishë?
Ashtu siç ekziston vetëm një Krisht i vetëm, ashtu mund të ketë vetëm një trup të vetëm të Krishtit, një nuse të vetme të Krishtit, pra një kishë të vetme të Jezu Krishtit. Ai është kryet, kisha është trupi. Së bashku e formojnë “Krishtin e tërësishëm” (Shën Augustini). Si trupi që ka shumë gjymtyrë, por është vetëm një, ashtu edhe ekziston vetëm një kishë në dhe nga kishat lokale (ipeshkvitë). Së bashku e bëjnë tërë Krishtin.
Përse Kisha është e shenjtë?
Kisha është e shenjtë jo për shkak se të gjithë anëtarët e saj do të ishin të shenjtë, por për shkak se Zoti është i shenjtë dhe vepron në të. Të gjithë anëtarët e kishës nëpërmjet pagëzimit janë të shenjtëruar.
Përse Kisha quhet katolike?
“Katolik” (greqisht katholon) do të thotë të qenët i referuar të tërës. Kisha është katolike, sepse Krishti e ka thirrur për ta rrëfyer tërë besimin, për t`i ruajtur të gjitha sakramentet, për t`i ndarë ato dhe për t`ua shpallë të gjithëve Lajmin e gëzueshëm; dhe ai e ka dërguar atë te të gjithë popujt.
Kush i takon Kishës Katolike?
Bashkimit të plotë të kishës katolike i takon ai/ajo që në unitet me Papën dhe ipeshkvijtë me anë të rrëfimit të besimit katolik dhe marrjen e sakramenteve lidhet me Jezu Krishtin.
Jezu Krishti dëshironte një kishë për të gjithë. Për fat të keq ne të krishterët nuk i kemi qëndruar besnikë këtij vullneti të Krishtit. Megjithatë, nëpërmjet besimit dhe pagëzimit të përbashkët edhe tani jemi thellë të lidhur njëri me tjetrin.
Si i shikon Kisha katolike religjionet e tjera?
Kisha katolike respekton gjithçka, që në religjionet e tjera është e mirë dhe e vërtetë. Ajo e çmon dhe përkrah lirinë e besimit fetar si një e drejtë e njeriut. Megjithatë, ajo e di që Jezu Krishtit është i vetmi Shpëtimtar i të gjithë njerëzve. Vetëm ai është “Rruga, e Vërteta dhe Jeta” (Gjn 14,6).
Kushdo që e kërkon Hyjin, është afër me ne të krishterët. Ekziston një nivel i veçantë"afrie" me myslimanët. Ashtu si Judaizmi dhe Krishterimie dhe Islami i takon religjioneve monoteiste(besimeve në një Zot) (→ monoteizmi). Edhe myslimanët e nderojnë Hyjin Krijues dhe Abrahimin si atin e atyre që besojnë. Në Kuran, Jezusi është portretizuar si një profet i madh; Maria, nëna e tij, si nëna e profetit. Kisha mëson se të gjithë njerëzit të cilët pafajin e tyre s`e kanë njohur Krishtin dhe Kishën e tij, por sinqerisht e kërkojnë Hyjin dhe e ndjekin zërin e ndërgjegjes së vet, e arrijnë shpëtimin e amshuar. Prapëseprapë kush e ka njohur se Jezusi është"Rruga, e Vërteta dhe Jeta", por nuk dëshiron ta ndjekë atë, s`mund ta gjejë shpëtimin në rrugë të tjera. Kjo është ajo çfarë nënkuptohet kur thuhet se "jashtë Kishës s`ka shpëtim" (Extra Ecclesiam nulla Salus).
Si është e organizuar Kisha e vetme, shenjte, katolike dhe apostolike?
Në Kishë ndodhen laikët dhe klerikët (kleri). Si fëmijë të Hyjit të gjithë kanë të njëjtin dinjitet.
Çdo i krishterë e ka për detyrë ta dëshmojë ungjillin me jetën e vet. Mirëpo, Zoti çdo njeri e trajton dhe ecën me të në mënyrën e tij të veçantë. Njërin e dërgon si laik në familje dhe në thirrje për ta ndërtuar Mbretërinë e Hyjit në botë. Për një gjë të tillë i jep në pagëzim dhe krezmim dhuntitë e nevojshme të Shpirtit Shenjt. Të tjerët i thërret në shërbesë baritore; ata duhet ta udhëheqin, mësojnë dhe shenjtërojnë popullin. Këtë detyrë askush s`mund ta uzurpojë për vete, vetë Zoti nevojitet ta dërgojë atë dhe nëpërmjet shugurimit t`ia japë fuqinë hyjnore për kryerjen e misionit. Kështu mund të veprojë në emër të Krishtit dhe të ndajë sakramente.