Nga data 13 deri më 17 shtator 2026, grupi i parë i meshtarëve të Dioqezës Prizren–Prishtinë zhvilloi Ushtrimet Shpirtërore vjetore në Shenjtëroren e Zojës së Letnicës. Këto ditë lutjeje, heshtjeje dhe meditimi u udhëhoqën nga Don Dritan Ndoci, Vikar i Përgjithshëm i Dioqezës së Shkodrës, i cili, përmes reflektimeve dhe porosive të tij, i shoqëroi meshtarët në një përvojë të thellë ripërtëritjeje njerëzore, shpirtërore dhe meshtarake.
Të martën, më 15 shtator, Shkëlqesia e Tij, Imzot Dodë Gjergji, iu bashkua meshtarëve në lutje dhe në bashkësinë vëllazërore, duke kryesuar kremtimin e Meshës së Shenjtë. Prania e Bariut të Dioqezës ishte një shprehje e çmuar e afërsisë atërore dhe e bashkimit kishtar, duke përforcuar vetëdijen se shërbimi meshtarak buron nga bashkimi me Krishtin dhe ndërtohet në bashkësi me Ipeshkvin dhe me presbiteratin dioqezan.
Gjatë gjithë vitit, meshtarët janë të angazhuar në shpalljen e Fjalës së Zotit, kremtimin e sakramenteve, udhëheqjen e bashkësive famullitare dhe shoqërimin e njerëzve në gëzimet, vuajtjet dhe sprovat e jetës. Për këtë arsye, Ushtrimet Shpirtërore përbëjnë një kohë të domosdoshme hiri, në të cilën meshtari tërhiqet përkohësisht nga angazhimet e përditshme, për të hyrë në heshtje, për ta dëgjuar më thellë Fjalën e Zotit dhe për t’ia besuar Atij përsëri jetën, thirrjen dhe shërbimin e vet baritor.
Këto ditë janë kohë e veçantë Hiri dhe një kthim te burimi i thirrjes meshtarake, te takimi personal me Krishtin, Kryepriftin e amshuar. Nëpërmjet lutjes, meditimit, kremtimit të Eukaristisë, Sakramentit të Pajtimit dhe bashkësisë vëllazërore, meshtari rigjen forcën për ta jetuar me besnikëri misionin që i është besuar dhe për t’iu rikthyer popullit të Zotit me zemër të ripërtërirë, me shpresë më të qëndrueshme dhe me gatishmëri të re për shërbim.
Ushtrimet Shpirtërore në Letnicë ishin kështu një përvojë e çmuar takimi me Zotin, rishikimi të jetës dhe forcimi të vëllazërisë meshtarake. Lutemi që frytet e këtyre ditëve të shfaqen në jetën dhe shërbimin e secilit meshtar, për të mirën e bashkësive tona famullitare dhe për lavdinë e Hyjit.