Më 5 shtator, në ditën e festës liturgjike të Shën Nënë Terezës, në orën 11:00, u kremtua Mesha e Shenjtë solemne, e kryesuar nga Shkëlqesia e Tij, Imzot Italo Dell’Oro, Ipeshkëv Ndihmës dhe Vikar i Përgjithshëm i Arqidioqezës së Galveston–Houstonit, SHBA. Në bashkëkremtim morën pjesë Ipeshkvi ynë, Imzot Dodë Gjergji; Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkëv Metropolitan i Tiranë–Durrësit; Imzot Rrok Gjonlleshaj, Arqipeshkëv i Tivarit; Imzot Zef Gashi, Arqipeshkëv emeritus i Tivarit; si dhe një numër i madh meshtarësh nga Dioqeza Prizren–Prishtinë dhe nga dioqezat e Shqipërisë.
Në këtë kremtim madhështor mori pjesë një numër i madh besimtarësh, të cilët, të bashkuar rreth altarit të Zotit në lutje dhe në Eukaristi, nderuan jetën, shenjtërinë dhe dëshminë e pavdekshme të Shën Nënë Terezës, bijës së kombit shqiptar dhe apostulles së dashurisë e të mëshirës për mbarë njerëzimin.
Një bukuri të veçantë artistike dhe shpirtërore kremtimit i dha interpretimi i jashtëzakonshëm në piano i Maestro Josep Solé Coll, organistit të parë të Bazilikës Papnore të Shën Pjetrit në Vatikan. Përmes mjeshtërisë së tij të lartë, muzika u shndërrua në lutje dhe e lartësoi më tej përjetimin shpirtëror të të gjithë të pranishmëve.
Pas përfundimit të Meshës së Shenjtë, për të gjithë pjesëmarrësit u organizua një pritje me koktej vëllazëror. Në një atmosferë të përzemërt bashkimi, mirënjohjeje dhe gëzimi, ipeshkvij, meshtarë dhe besimtarë ndanë së bashku çaste të çmuara vëllazërie, duke vijuar kështu kremtimin në frymën e dashurisë dhe të shërbimit që Shën Nënë Tereza ia la trashëgim Kishës dhe mbarë botës.