Më 7 qershor, në Misioni Katolik Shqiptar në Aarau, bashkësia e katolike u bashkua për kremtimin e Sakramentit të Krezmimit. Meshën e kremtoi Imzot Dodë Gjergji, duke i dhënë kësaj dite një kuptim të thellë të kujdesit baritor edhe për besimtarët të cilët gjenden në diasporë. Në fjalën e tij, Ipeshkvi theksoi se të krishterët nuk duhet të jenë pasivë në botën ku jetojnë. Ai i porositi kandidatët të bëhen shenjë e së mirës në vendet ku ndodhen çdo ditë, fjala e tij ishte e drejtpërdrejtë dhe e afërt me jetën e tyre konkrete. Ai kujtoi se Shpirti Shenjt nuk jep vetëm forcë për një ditë, por për gjithë jetën. Kandidatët u ftuan të mos e mbajnë fenë vetëm si emër, por si dritë që udhëheq zgjedhjet e tyre. Kandidatët morën dhuratën e Shpirtit Shenjt dhe u ftuan të ecin më të vendosur në jetën e krishterë, sepse krezmimi i bën të rinjtë më të fortë në fe dhe më të përgjegjshëm në dëshminë e tyre. Ky sakrament nuk është vetëm një ceremoni, por një takim i gjallë me hirin e Zotit.
Në këtë kremtim u pa edhe rëndësia e Misionit Katolik Shqiptar në Aarau, Don Pal Tunaj, si misionar, i zellshëm dhe vizionar vazhdon të shërbejë me përkushtim për bashkësinë shqiptare, përmes punës së tij, Misioni bëhet vend takimi, lutjeje dhe rritjeje shpirtërore. Dita e Krezmimit në Aarau ishte një bekim për kandidatët dhe një gëzim për gjithë bashkësinë. Ajo mbeti si një kujtesë se Shpirti Shenjt e bën Kishën të gjallë dhe besimtarët më të fortë në rrugën e Krishtit.