Të hënën, më 2 nëntor, besimtarët u mblodhën në varrezat e Famullisë së Prizrenit për tu lutur dhe për të marrë pjesë në kremtimin e Meshës së Shenjtë në Përkujtimin e të Gjithë Besimtarëve të Vdekur. Meshën e kryesoi Shkëlqesia e Tij, Imzot Dodë Gjergji. Me të bashkëkremtuan Don Shan Zefi, vikar i Dioqezës, P. Anton Nua dhe Don Leonard Domgjoni.
Pranë varreve kujtuam me dashuri njerëzit tanë dhe u lutëm edhe për ata që s’kanë më askënd që t’i kujtojë me emër. Në Meshën e Shenjtë ia besuam të gjithë të ndjerët mëshirës së Hyjit, duke i kërkuar që t’ua falë mëkatet dhe t’i pranojë në gëzimin e jetës së amshuar.
Kur na merr malli për njerëzit që kemi humbur, na ngushëllon fjala që Jezusi i tha Martës pas vdekjes së vëllait të saj: «Unë jam ngjallja dhe jeta» (Gjn 11,25). Me këtë shpresë lutemi për të dashurit tanë, duke besuar se Krishti i ngjallur na mban të bashkuar me ta.
Jepu, o Zot, pushimin e pasosur dhe u ndrittë drita e pambaruar. Pushofshin në paqe. Amen!