Operacioni i Papës përfundoi me sukses dhe pa ndërlikime. Ndërhyrja kirurgjikale zgjati rreth 90 minuta dhe u krye me teknikë të asistuar me video. Buletini mjekësor i publikuar në mbrëmje bën të ditur se «ekzaminimi histologjik i menjëhershëm konfirmoi diagnozën e një adenokarcinome pulmonare, siç ishte dyshuar nga ekzaminimet para operacionit». Leoni XIV u zgjua normalisht dhe u kthye në dhomën e tij «pas një periudhe të shkurtër nën vëzhgim»
Gjatë një ndërhyrjeje kirurgjikale, që zgjati rreth 90 minuta, e cila përfundoi me sukses dhe pa ndërlikime, Papa Leoni XIV iu nënshtrua heqjes së lobit të poshtëm të mushkërisë së djathtë. Ekzaminimi histologjik i menjëhershëm konfirmoi diagnozën e një adenokarcinome pulmonare.
Buletini mjekësor i shumëpritur, që përmbante informacionin mbi gjendjen shëndetësore të Papës Leoni XIV, u publikua në mbrëmje, në orën 21.53, pak më shumë se dy orë pas operacionit të kryer pasditen e sotme, më 13 tetor, në Poliklinikën Gemelli.
Një njoftim i Sallës së Shtypit, i publikuar në Telegram pak para orës 20.00, bëri të ditur se ndërhyrja kirurgjikale e Papës, e kryer nga ekipi mjekësor i kirurgjisë së mushkërive, i drejtuar nga profesori Stefano Margaritora, kishte «përfunduar me sukses, sipas mënyrës dhe afateve të parashikuara» dhe se Papa ishte «kthyer në dhomën e tij» në katin e dhjetë të spitalit, në repartin ngjitur me apartamentin papnor, ku një vit e gjysmë më parë u shtrua Papa Françesku. Aktualisht, ky apartament është në rikonstruksion.
Në buletinin mjekësor të publikuar nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, doktor Luigi Carbone, drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Higjienës së Shtet-Qytetit të Vatikanit, si edhe profesori Margaritora njoftojnë:
«Pasditen e sotme, Ati i Shenjtë iu nënshtrua, siç ishte planifikuar, një ndërhyrjeje kirurgjikale në mushkëri. Për ta bërë ndërhyrjen radikale, u hoq lobi i poshtëm i mushkërisë së djathtë, me teknikë të asistuar me video. Ekzaminimi histologjik i menjëhershëm konfirmoi diagnozën e një adenokarcinome pulmonare, siç ishte dyshuar nga ekzaminimet para operacionit».
«Ati i Shenjtë – vijon njoftimi – qëndroi në sallën e operacionit për rreth tri orë, ndërsa ndërhyrja zgjati rreth 90 minuta. Operacioni përfundoi me sukses dhe nuk pati ndërlikime».
Pas ndërhyrjes, Leoni XIV «u zgjua normalisht dhe, pas një periudhe të shkurtër nën vëzhgim, u kthye në dhomën e tij në katin e dhjetë».
Asistentë të profesorit Margaritora ishin profesoresha Elisa Meacci, doktoresha Maria Teresa Congedo dhe doktori Leonardo Petracca Ciaravella. Ekipi i anestezisë përbëhej nga profesori Massimo Antonelli dhe doktorët Giovanni Punzo dhe Giuseppe Bello. (Vatican News)