Madridi, Barcelona dhe Ishujt Kanarie: janë etapat kryesore në udhëtimin e katërt apostolik të Papës, që do të shkojë në Spanjë nga 6 deri më 12 qershor. Gjatë këtij shtegtimi të ri do të thellohet kryesisht në situatën dramatike të migrantëve që largohen nga Afrika dhe kërkojnë shpresë në Evropë
Dymbëdhjetë fjalime, pesë përshëndetje, pesë predikime dhe katër qytete! Udhëtimi apostolik i Papës Leoni në Spanjë, i katërti i Papnisë së tij, i planifikuar në kalendar për 6 deri më 12 qershor, premton të jetë intensiv. Motoja e tij është "Alzad la mirada”, marrë nga kapitulli IV i Ungjillit të Gjonit, verseti 35.
Programi, i publikuar sot, më 6 maj, nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, përfshin tri ditë në Madrid, dy në Barcelonë, një në Las Palmas de Gran Canaria dhe një në Santa Cruz de Tenerife. Pesëmbëdhjetë vjet pas Benediktit XVI, një tjetër Papë do të mirëpritet në tokën iberike në udhëtimin për të përuruar kullën e Jezu Krishtit, në Sagrada Familia, më e larta e bazilikës katalanase, e karakterizuar nga plan dymbëdhjetëfaqësh dhe një lartësi totale prej 172.5 metrash. Është një çast, që të kujton 100-vjetorin e vdekjes së Antoni Gaudí, "arkitektit të Zotit", i cili u shpall i Nderuar prillin e kaluar. Nga Katalonja, Papa do të shtegtojë me avion drejt Ishujve Kanarie, cak për mijëra emigrantë nga Afrika, në nisje për në Evropë.
Papa do të ulet në Madrid të shtunën, më 6 qershor. Takimi i parë zyrtar do të jetë vizita e mirësjelljeje në Familjen Mbretërore, ndjekur nga një takim me autoritetet, shoqërinë civile dhe Trupin Diplomatik. Pasdite, Leoni do të udhëtojë drejt lagjes Lucero, në periferi të qytetit, për t'u takuar me punëtorët dhe ata që ndihmohen nga projekti social "Cedia 24 Horas", strukturë e drejtuar nga Caritasi dioqezan i Madridit, për të pastrehët. Ky projekt, i themeluar në vitin 1977, i shërben çdo vit një numri njerëzish, gjithnjë në rritje, që në vitin 2025 arriti afërsisht në 2,500 vetë.
Në mbrëmje do të kremtohet një vigjilje lutjeje me të rinjtë.
Të dielën, më 7 qershor, ditën e kremtimit të Korpit të Krishtit, Papa do të kremtojë Meshën në Plaza de Cibeles; pasdite do të ketë takim privat me anëtarët e urdhrit Augustinian, ngjarje tashmë e zakonshme në shtegtimet e tij. Pasdite, në Movistar Arena, Papa do të ketë një takim, titulluar "T`i endim rrjetat me botën e kulturës, artit, ekonomisë dhe sportit".
Mëngjesi i së hënës, më 8 qershor, është kohë takimesh institucionale. Leoni XIV do të takohet së pari me Kryeministrin e Spanjës, Pedro Sánchez Pérez-Castejón, më pas, me anëtarët e Parlamentit. Në selinë e Konferencës Ipeshkvnore, ipeshkvijtë spanjollë do ta mirëpresin e, më pas, do të luten dhe do t'i bëjnë homazhe Ζojës së Almudenës, Pajtore e Madridit, në Katedralen që i kushtohet. Në mbrëmje planifikohet takimi me komunitetin dioqezan në stadiumin Santiago Bernabéu, strehë e ekipit prestigjioz të futbollit Real Madrid. Përpara se të largohet nga kryeqyteti spanjoll të martën, më 9 qershor, Papa do të përshëndesë vullnetarët që e bënë të mundur vizitën.
Mbërritja e Papës në Barcelonë planifikohet për pasdite. Vizita fillon me lutjen e mesditës në Katedralen e Shenjtes Krygjë dhe Shën Eulalias, ndjekur në mbrëmje nga fjalimi i parë i Papës në vigjiljen e lutjes në stadiumin olimpik Lluís Companys.
Të nesërmen, një vizitë në qendrën e vuajtjes së dënimit "Brians 1" dhe një Rruzare në Abacinë e Zojës sonë të Montserratit, një manastir benediktin rreth 50 km nga Barcelona, që strehon shtatoren e Virgjërës së Montserratit, e njohur edhe si La Moreneta, shpallur Pajtore e Katalonjës në vitin 1881, nga Papa Leoni XII. Një riprodhim prej druri i Ζojës shpesh vendoset pranë Altarit të Rrëfimit gjatë kremtimeve liturgjike të kryesuara nga Papa në Bazilikën e Vatikanit. Më pas, takimi me bamirësitë dioqezane dhe organizatat bamirëse, në Kishën e Shën Agustit dhe Mesha e kremtuar në Sagrada Familia me përurimin e Kullës së Jezu Krishtit.
Të enjten, më 11 qershor, shtegtimi do të niset nga qyteti katalanas për një vizitë dy-ditore në Ishujt Kanarie, për t`u njohur me realitetin e migrimit. Takimi i parë i Papës Leoni në Gran Canaria do të jetë me organizatat e përfshira në këtë çështje, në portin e Arguineguín, vitet e fundit pikëmbërritjeje për mijëra njerëz. Më pas Papa do të takohet me ipeshkvij, priftërinj, rregulltarë, seminaristë dhe punonjës baritorë dhe do të kremtojë Meshën në stadiumin e Gran Canaria. Në ditën e tij të fundit, në Spanjë, Papa Leoni do të udhëtojë për në Tenerife, ku do të përqafojë edhe emigrantët në qendrën "Las Raices", një nga qendrat kryesore të pritjes së përkohshme për emigrantët në Ishujt Kanarie. Më pas do të kremtojë Meshën e tij të fundit në portin e Santa Cruz de Tenerife, për t'u kthyer në mbrëmje, në Vatikan.
Burimi: Vatican News