Ndalesa e fundit e Leoni XIV në Francë është Metz, në këtë udhëkryq në veri të vendit dhe në zemër të kontinentit, ku Papa kryeson takimin me temë “Në rrënjët e Evropës për paqen dhe unitetin”. Në fjalën e tij, denoncon “masakrën e kotë” që çdo ditë merr jetë të panumërta, bën thirrje për “guxim në negociata” dhe nxit “përpjekje krijuese për paqen botërore”, jo vetëm për “të ndalur hemorragjinë e luftës”. Apeli për migrantët: “dinjiteti njerëzor kërkon rrugë ligjore dhe të sigurta”.
Vatican News
Në rrënjët e Evropës, në zemër të Evropës, për t’i përcjellë një mesazh Kontinentit të Vjetër dhe për ta paralajmëruar për barbarinë në marrëdhëniet mes njerëzve dhe shteteve, për “iluzionin e riarmatimit”, duke dënuar “masakrën e re të kotë” – siç e quajti luftën Benedikti XV – e cila “çdo ditë shkakton viktima të panumërta civile”. Leoni XIV ndodhet në Metz, udhëkryq në veri të Francës dhe në zemër të kontinentit evropian, urë lidhëse mes kulturës franceze dhe asaj gjermane, në një tokë që kujton konflikte dhe pajtime. Pikërisht këto të fundit Papa i kujton në këtë qytet të ndërtuar me gurë e të ndriçuar nga reflektimet mbi ujërat e Mozelës, qytet që i dha Evropës edhe figurën e të nderuarit Robert Schuman:
“Duhet të angazhohemi në një dialog të durueshëm, të tregojmë guxim në negociata dhe të jemi të gatshëm të sakrifikojmë disa qëndrime për të mirën më të lartë të paqes”.
Një mesazh i qartë në një kohë ekuilibrash të brishtë, të pamundësisë për të komunikuar në nivel global dhe të krizës së multilateralizmit, i cili, së bashku me të drejtën ndërkombëtare, është në të vërtetë “antidoti më i mirë ndaj vullnetit për të dominuar, që qëndron në zanafillën e çdo konflikti”. Papa e bën të dëgjohet zëri i tij nga podiumi i Qendrës së Kongreseve “Robert Schuman”, në Metz, ku u mbajt takimi me titullin domethënës “Në rrënjët e Evropës për paqen dhe unitetin”, titull që vetë Papa e cilëson “evokues”.
Në sallë ndodhen të gjithë ipeshkvijtë francezë, kryetarë të disa Konferencave Ipeshkvnore, si edhe princi Filip i Monakos me bashkëshorten Sharlen dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve. Ata e presin Papën – i shoqëruar nga presidenti Emmanuel Macron dhe kardinali Jean-Marc Aveline, të dy të ulur pranë tij në podium – me një duartrokitje të zgjatë , ndërsa Kori dhe Orkestra e Operas së Metz-it interpretojnë pjesë muzikore me solemnitet të fuqishëm.
Leoni XIV mbajti një fjalim të gjatë në frëngjisht, frymëzuar nga Deklarata e famshme e Schuman-it e 9 majit 1950, e cila kontribuoi “në formësimin e Evropës së sotme dhe të së nesërmes”. Teksti i Deklaratës bëhet pikënisje për reflektimet e Papës, të ndërthurura me mendimet dhe fjalët e Alcide De Gasperit, Papës Shën Palit VI, Papa Françeskut dhe Shën Benediktit Abat, një tjetër “Atë i Evropës”.
Leoni XIV kujton rrënjët, por e drejton vështrimin nga e ardhmja dhe, me shqetësim, nga e tashmja e shënuar nga migrimet, mjerimi, mosrespektimi i dinjitetit njerëzor dhe konfliktet. Mbi të gjitha, konfliktet që mbytin çdo “dëshirë për paqe”.
“Përpjekja për paqen në Evropë, ashtu si edhe në pjesën tjetër të botës, nuk duhet ngatërruar me një irenizëm naiv”, sqaron Papa. Përkundrazi, siç pohonte Schuman, “paqja botërore nuk mund të ruhet pa përpjekje krijuese në përpjesëtim me rreziqet që e kërcënojnë”.
“Megjithatë, duhet të ruhemi nga iluzioni i riarmatimit. Jo rastësisht, thirrjet e përsëritura për rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe vendimet që pasojnë paraqiten nga shumë qeveritarë me justifikimin e rrezikshmërisë së tjetrit”.
“Promovimi i paqes është një vepër aktive”, pohon Leoni XIV dhe shtron një pyetje vendimtare:
“Sot duhet të pyesim veten nëse po bëjmë vërtet ‘përpjekje krijuese’ për të nxitur paqen botërore, apo thjesht po përpiqemi ‘të ndalim hemorragjinë e luftës’ dhe të përgatitemi më mirë për ato luftëra që mendojmë se mund të vijnë ende”.
Papa rikthehet edhe një herë vizioni i Schuman-it për një Evropë që “preferon të dialogojë sesa të përballet me armë”, ku “burimet vihen në bashkësi, në mënyrë që çdo luftë të bëhet jo vetëm e paimagjinueshme, por edhe materialisht e pamundur”.
Një Evropë, pra, që “bazohet në respektimin e së drejtës ndërkombëtare, e cila, ndryshe nga të drejtat kombëtare, nuk mund të imponohet me forcë nga një shtet, por mbështetet në parimin e njohur universalisht sipas të cilit pacta sunt servanda”.
E drejta ndërkombëtare dhe multilateralizmi përbëjnë, pra, “antidotin më të mirë ndaj vullnetit për të dominuar, që qëndron në zanafillën e çdo konflikti”, pohon Papa Leoni. Ai vëren me një ton të hidhur se “sot, marrëdhëniet njerëzore dhe ato mes shteteve po bëhen gjithnjë e më barbare”.
“Vlera e fjalës së dhënë përçmohet; përkundrazi, mburren me gënjeshtrën dhe mashtrimin. Evropa mund t’i japë fund kësaj spiraleje përmes respektit për tjetrin, të cilin ka ditur ta kultivojë dhe ta ruajë, pasi gjatë tetëdhjetë viteve të fundit ka dëshmuar gjerësisht se është e mundur të mbrohen pikëpamje, kërkesa dhe interesa të ndryshme, duke u takuar në vend që të përplasen”.
Nevojiten “realizëm dhe guxim”, por edhe “besim” në aftësinë për të përparuar, për të bërë “hapa të vegjël” që megjithatë mund të krijojnë një “solidaritet konkret”, i cili nënkupton që “askush të mos ndihet i braktisur apo i harruar”. Në këtë drejtim, Papa rikujton vlerat mbi të cilat mbështetet bashkëjetesa civile: “të drejtat e paprekshme dhe të patjetërsueshme të personit, liria, demokracia, barazia dhe shteti i së drejtës”.
Në këtë etapë të re të historisë së saj, Evropa i sheh këto vlera të lëkunden edhe përballë “ardhjes në kontinent të kaq shumë burrave dhe grave që ikin nga skenat e luftës dhe përndjekjes, ose që kërkojnë një jetë më të mirë larg varfërisë dhe mjerimit”.
Papa ia përsërit të gjithë Bashkimit Evropian apelin e bërë më parë në Ishujt Kanarie:
“Dinjiteti njerëzor kërkon rrugë ligjore dhe të sigurta, shpëtim dhe ndihmë, bashkëpunim real kundër trafikantëve, mbrojtje efektive të viktimave, procese serioze pritjeje dhe integrimi, si dhe politika që i mundësojnë çdo personi të jetojë me dinjitet në vendin e vet”.
Por edhe kjo nuk do të ishte ende e mjaftueshme, thekson Papa. “Ta pranosh një person do të thotë ta integrosh atë si në familjen tënde, duke i ofruar mundësinë të zhvillojë talentet, aftësitë dhe ndjeshmëritë e veta, por edhe të hyjë në frymën e shtëpisë që e mirëpret”.
Ky dialog “është i mundur”, siguron Papa, dhe pikërisht “universaliteti i vlerave themeluese të Evropës” e bën të mundur. Madje, ky dialog me “shtrirje historike” mundëson që “të veprohet në mënyrë më efektive për paqen dhe për një botë të pajtuar”. Leoni XIV fton të kemi të njëjtën “mprehtësi” me të cilën Schuman-i arriti të “kapërcejë kundërvënien mes identiteteve kulturore” dhe të “krijojë institucionet evropiane, në përfundim të tragjedisë së tmerrshme të Luftës së Dytë Botërore, e cila tregoi se sa e madhe është e keqja që njeriu mund të bëjë kur mendon se nuk ka pengesa në ushtrimin e pushtetit të tij”.
“Robert Schuman-i, që njohu kufij në ndryshim të vazhdueshëm, kontribuoi në hedhjen e themeleve të një Evrope të vetëdijshme për urgjencën e rrëzimit të mureve që e copëtonin. Formimi i tij i krishterë i përcolli vlerën e barazisë, pa dallim race apo klase shoqërore, dhe i mësoi dinjitetin e punës”.
Këtë vizion Papa Leoni XIV dëshiron t’ua përcjellë sot veçanërisht të rinjve. Pjesën e fundit të fjalimit ia kushton atyre: një apel, një ftesë, pothuajse një himn, për të përsëritur thirrjen për të “ndërtuar Evropën e sotme dhe të së nesërmes”.
Një Evropë “të bashkuar dhe të fortë” dhe “një njerëzim më në fund të çliruar nga urrejtja dhe frika, që pas një kohe tepër të gjatë përçarjesh, të mësojë përsëri vëllazërinë e krishterë”.
“Guxoni ta jetoni me përgjegjësi misionin për të ndërtuar paqen: në zemrën tuaj, në marrëdhëniet tuaja, në familjen tuaj, në shkolla dhe universitete, në jetën e qyteteve tuaja, të vendeve tuaja dhe të mbarë Evropës”, është porosia e Papës për të rinjtë.
“Mos iu nënshtroni logjikës së dhunës dhe shtypjes”.
“Duajeni jetën në çdo çast dhe mos kini frikë nga e ardhmja!”.
“Mos kini frikë të krijoni familje, të sillni në jetë fëmijë, të mbroni dinjitetin e çdo personi, që nga çasti i parë në kraharorin e nënës e deri në frymën e fundit”.
“Mos kini frikë të punoni pa u lodhur në shërbim të së mirës së bashkësive tuaja, edhe përmes angazhimit politik”.
“Jini ndërtues të bashkësive!”, u drejtohet në fund Papa të rinjve. “Dhe me ju, Evropa, e rrënjosur thellë, do të vazhdojë të lulëzojë dhe të frymëzojë mbarë botën”. (RV)