Në meshën e fundit të udhëtimit në Francë, kushtuar paqes e drejtësisë, Leoni XIV ftoi të këputet zinxhiri i mërisë dhe i hakmarrjes, duke e paraqitur pajtimin si rrugën për të arritur paqen dhe për t’i shndërruar plagët e së kaluarës në dritë për të ardhmen
Vatican News
Në katedralen e Shën Shtjefnit, Lanterne du Bon Dieu, në Metz, Papa Leoni XIV kremtoi pasdite meshën e fundit të udhëtimit të tij apostolik në Francë, përpara përshëndetjes me Francën dhe nisjes drejt Romës. Një vend ku historia e fesë ndërthuret me atë të Evropës, në tokën e Mozelës, të cilën Papa e cilësoi si «udhëkryq popujsh» dhe, në të kaluarën, «kufi të dhimbshëm në Evropë».
Në kremtimin kushtuar paqes dhe drejtësisë, homelia e tij, koment i Ungjillit sipas Mateut, përvijoi një udhë, që nga shkretëtira të çon në kopsht e, më pas, në shtëpi. «Kështu paqja, që është dhuratë e Zotit, kërkon një përgjigje nga njerëzit, në një përpjekje të përbashkët», pohoi Leoni XIV, duke kujtuar se pajtimi nuk është vetëm diçka që merret dhuratë, por realizohet së bashku me të tjerët.
Ishte pikërisht Ungjilli, me ftesën e Jezusit për të dashur armiqtë dhe për të mos iu përgjigjur së keqes me të keqe ai, që i dha Papës çelësin për të analizuar edhe historinë e kësaj toke. Metz-i, historikisht, në mes të konflikteve e ndarjeve, bëhet kështu dëshmitare e një mundësie: asaj të pajtimit.
«Nuk është e vërtetë se ai, që hakmerret është më i fortë se ai, që fal. Nuk është e vërtetë se ai, që nuk dorëzohet është më i fortë se ai, që kërkon pajtimin. Nuk është e vërtetë se ai, që largohet duke përplasur derën është më i fortë se ai, që përballon përpjekjen për të ecur së bashku», pohoi Papa.
Dhe pikërisht këtu, ku plagët e së kaluarës i përkasin kujtesës evropiane, Leoni XIV kujtoi se «e vetmja rrugë shpëtimi për njeriun është dashuria, që kujdeset për tjetrin».
Nga Metz-i, vështrimi u zgjerua drejt gjithë kontinentit. Papa kujtoi rrënjët shpirtërore dhe morale të Evropës, të lindura edhe nga vepra e burrave e grave, që e jetuan Ungjillin dhe, përmes fesë, kulturës dhe kujdesit për më të brishtët, bënë një pjesë të rëndësishme të historisë evropiane.
«Këtu në Metz është mirë të kujtojmë se pikërisht mbi këto vlera është ndërtuar, gjatë shekujve, Evropa që njohim, me trashëgiminë e saj shpirtërore dhe morale, përpara se të ishte ekonomike dhe politike», nënvizoi ai.
Por është mbi të gjitha katedralja ajo, që bëhet imazhi përmbyllës i mesazhit. 6.500 metrat katrorë të vetratave të saj, së bashku me veprat e Marc Chagall-it, e shndërrojnë dritën në një mozaik, ku historitë dhe kulturat e ndryshme nuk anulohen, por bashkohen në harmoni.
«Kjo katedrale na thotë se drita e Zotit nuk i fshin veçantitë, por bashkon histori dhe kultura të ndryshme në një mozaik të vetëm dhe të mrekullueshëm paqeje», theksoi Ati i Shenjtë.
Me këtë imazh Papa e përfundon udhëtimin në Francë: një dritë, që përshkon plagët e historisë dhe i shndërron ato në hapje drejt së ardhmes. «Plaga e së kaluarës bëhet një e çarë përmes së cilës depërton drita». (RV)