Në stadiumin ikonik të Madridit, "Santiago Bernabéu" – i cili për një mbrëmje u shndërrua në një shesh gjigant lutjeje e feje – Leoni XIV u takua ,mbrëmjen e së hënës së 8 qershorit, me Komunitetin Kryedioqezan. Gjatë këtij takimi, Papa ftoi katolikët të bëhen një "simfoni shprese", e aftë për të prekur zemrën e një metropoli si Madridi që po ndryshon me ritme të shpejta.
Ky tubim shënoi edhe ditën e tretë të Udhëtimit Apostolik të Papës në Spanjë, duke u kthyer në një festë të vërtetë të zërave të ndryshëm që përbëjnë Kishën lokale.
Përpara se Papa të mbante fjalën e tij, disa përfaqësues të komunitetit dioqezan ndanë dëshmitë e tyre personale, të cilat pasqyrojnë realitetin e larmishëm të Kishës katolike në Madrid. Mes tyre kishte një besimtar laik të angazhuar në jetën e famullisë, një anëtar të këshillit pastoral, një prift dioqezan, një familje emigrantësh që kishte gjetur ngrohtësi e mbështetje në Kishë, si dhe një të ri që ishte pagëzuar së fundmi në moshë të rritur.
Rrëfimet e tyre për besimin, shërbimin, dritën shpirtërore, mikpritjen dhe kthimin në fe, krijuan atmosferën e duhur për reflektimet e Papës mbi bashkësinë, ungjillëzimin dhe misionin që Kisha ka sot në shoqërinë urbane bashkëkohore.
Para rreth 80 mijë besimtarëve që kishin mbushur stadiumin, Papa Leoni e cilësoi këtë mbrëmje si "një himn të madh feje". Ati i Shenjtë Prevost falënderoi Kryeipeshkvin e Madridit, Kardinalin José Cobo Cano, i cili zgjodhi pikërisht metaforën e këngës dhe harmonisë për të pasqyruar jetën brenda gjirit të Kishës.
"Shifrat, të dhënat dhe faktet e ftohta nuk mjaftojnë për të ndërtuar një komunitet", tha Papa. "Duhet që mbarë zemrat tona të këndojnë".
Duke u nisur nga kjo simbolikë muzikore, Ati i Shenjtë Leoni XIV u shpreh se Kisha është një bashkësi që mëson "artin e polifonisë" — një unitet që nuk i fshin dhe as nuk i njehson dallimet, por i bën ato të bashkëjetojnë në harmoni të plotë.
Papa u ndal veçanërisht te dëshmia e besimtarit që foli për forcën ndryshuese të Pagëzimit dhe vuri në dukje se feja jo vetëm që transformon jetën e secilit prej nesh, por ndryshon edhe vetë mënyrën se si i kuptojmë dhuntitë dhe talentet tona.
"Ajo që më parë shihej thjesht si një dhuratë vetjake", nënvizoi Papa, "tani merr një tjetër drejtim: vihet e tëra në shërbim të së mirës së përbashkët".
Më tej, Leoni u ndal te marrëdhënia mes diversitetit dhe bashkësisë. Duke cituar enciklikën e tij Magnifica Humanitas, Papa solli në mendje figurën biblike të Nehemisë, i cili bashkoi një popull të tërë për të rindërtuar muret e Jeruzalemit.
Në të njëjtën mënyrë, sugjeroi Ati i Shenjtë, të krishterët e sotëm janë të thirrur t'i kthejnë dallimet në një burim pasurie, përmes dëgjimit, dialogut dhe sinodalitetit.
Kjo sfidë është veçanërisht urgjente në metropole të mëdha si Madridi, vuri në dukje Papa, ku ndërthurën kultura, tradita dhe përvoja të panumërta. Ky qytet, sipas tij, ofron mundësi unike për ungjillëzimin, por nga ana tjetër, sjell edhe pikëpyetje të reja për Kishën.
Prandaj, Ati i Shenjtë Prevost i inkurajoi katolikët t'i rezistojnë tundimit për të qëndruar të mbyllur brenda rretheve të tyre të njohura dhe të guxojnë të dalin e të shkojnë drejt "zemrës së qytetit", atje ku po formësohen rrëfimet e reja kulturore dhe realitetet e sotme shoqërore.
"Për të mbërritur në zemrën e qytetit", tha Papa, "duhet të rrisim ndërgjegjësimin se e vërteta është simfonike dhe është gjithmonë më e madhe se ne".
Në këtë kuadër, Ati i Shenjtë Leoni XIV vuri theksin te mirësia dhe njerëzia si dimensione thelbësore të dëshmisë së krishterë. Në shoqëritë e sotme, që shpesh shenjohen nga përçarja, pasiguria dhe vetmia, ai u shpreh se shpallja e Ungjillit rrezikon të bëhet e pafrytshme nëse zhvishet nga takimi i sinqertë njerëzor.
Duke reflektuar mbi larminë e pasur të Madridit, Papa u kujtoi të pranishmëve se mëshira e Zotit përfaqëson një përqafim për çdo njeri, pa asnjë përjashtim. Misioni i Kishës, tha ai, është pikërisht të bëjë të prekshme këtë thirrje universale drejt plotësisë së jetës, të zbuluar përmes Jezu Krishtit.
Dëshmitë e ndara më herët gjatë mbrëmjes u përmenden disa herë në fjalën e Papaës. Duke iu referuar veçanërisht familjes së emigrantëve që treguan se si gjetën ngrohtësi në gji të Kishës, Leoni XIV vuri në dukje se shumë njerëz u afrohen komuniteteve të krishtera të ngarkuar me frikëra, të cilat ushqehen nga paragjykimet apo zhgënjimet. "Mirësia, qoftë edhe nga ana e disave, mund të mposhtë frikën e shumë njerëzve," tha Ati i Shenjtë.
Papa ndaloi gjithashtu te dhe e roli i këshillave baritorë nëpër famulli kishtare dhe dioqeza, duke bërë thirrje që ato të mos katandisen në thjesht struktura administrative apo burokratike.
Përkundrazi, Leoni XIV i përshkroi ato si hapësira të vyera për shoshitjen e përbashkët shpirtërore, ku besimtarët mësojnë së bashku të dëgjojnë Shpirtin Shenjt dhe të zbulojnë se si Zoti po e thërret Kishën t'u përgjigjet sfidave të kohës sonë.
Me një mesazh të ndjerë drejtuar meshtarëve, Ati i Shenjtë Leoni XIV i nxiti ata ta përqafojnë rrugëtimin sinodal të dallimit shpirtëror si një burim të pashtershëm ripërtëritjeje dhe ngushëllimi në misionin e tyre. Ky rrugëtim, theksoi Papa, i ndihmon bashkësitë t’i lexojnë dhe t’i interpretojnë ndryshimet shoqërore, rrymat e reja kulturore dhe realitetet e prekshme lokale nën dritën e gjallë të Ungjillit.
Teksa mbrëmja po ulej butësisht, Papa u kthye edhe një herë te zërat që bënë jehonë gjatë gjithë takimit me Kishën dioqezane të Madridit. Rrëfimet e ndara nga besimtarët e dioqezës, u shpreh Ati i Shenjtë Leoni XIV, nxorën në dritë një Kishë të gjallë, të ushqyer nga feja dhe dashuria bujare.
Në mbyllje të fjalës së tij, Papa i mrekulloi të pranishmit me thirrjen e fuqishme: “Vështrojeni Kishën! (...) Ja ku është muzika e Ungjillit!” . “Bëhuni për çdo njeri si një Bibël e hapur”, porositi ai plot ngrohtësi. “Le të ndrisë fjala e Zotit në fytyrat tuaja dhe në përditshmërinë tuaj. Sepse dashuria mbetet e vetmja gjuhë që e bën këdo të ndihet si në shtëpinë e vet”. (RVSH)