Në Meshën e kremtuar në Place de la Concorde, Papa Leoni XIV i ftoi katolikët francezë të dalin nga një fe e jetuar vetëm në sferën private dhe ta bëjnë atë një dëshmi të gjallë në shoqëri. “Synoni të rizbuloni një horizont të ndritshëm, të ndërtoni një komb të përtërirë, duke u nisur nga rrënjët e tij të ujitura nga feja. Mos e mbani vetëm për vete fenë në Jezu Krishtin, por lëreni të burojë me bollëk, që të shuajë etjen dhe të mbushë me hir njerëzit që takoni.
Vatican News
“Zoti ka për ne një dashuri të pakushtëzuar dhe, në sytë e tij, askush prej nesh nuk është një numër në kartën e identitetit dhe as një kod identifikimi, por një person, një person unik dhe i pazëvendësueshëm”. Kështu tha Papa Leoni XIV në homelinë e Meshës së kremtuar në Place de la Concorde, në Paris.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, Papa i ftoi të rizbulojnë gurrën e fesë dhe të shpresës, duke kujtuar historinë e krishterë të Francës. “Duke ju parë këtu të mbledhur, të dashur vëllezër e motra, trashëgimtarë të një historie të gjatë dhe të bukur të shenjtë në Francë, po ju them: edhe ju pini nga kjo gurrë, që është Zemra e shporuar e Jezusit”, tha Leoni XIV.
“Synoni të rizbuloni një horizont të ndritshëm dhe të ndërtoni një komb të përtërirë, duke u nisur nga rrënjët e tij të ujitura nga feja. Mos e mbani vetëm për vete fenë në Jezu Krishtin, por lëreni të burojë me bollëk, që të shuajë etjen dhe të mbushë me hir njerëzit që takoni”, u shpreh Papa Leoni XIV në homelinë e Meshës së kremtuar në Place de la Concorde, në Paris, duke ua drejtuar francezëve një thirrje të fortë për ta jetuar fenë jo si një pasuri të fshehur, por si një burim shprese për shoqërinë. “Ju takon juve ta çoni shpresën atje ku mbizotërojnë shkurajimi dhe thatësira shpirtërore”, theksoi Papa e shtoi “jeni trashëgimtarë të një historie të bukur e të shenjtë”.
Më pas, Leoni XIV u ndal te rëndësia e së vërtetës në jetën e njeriut. “Duke pranuar të jetojmë në të vërtetën, nën vështrimin e Jezusit, mund të jemi autentikë dhe t’i shikojmë me kthjelltësi jetët tona”, tha ai. Jeta njerëzore, vijoi akoma Papa, është “e brishtë, e cenueshme dhe e destinuar të kalojë përmes vdekjes”, por njëkohësisht është “e mrekullueshme, një mrekulli, e aftë të përtërihet në marrëdhëniet e saj dhe të hapet ndaj dashurisë së vërtetë”.
Në homelinë e tij, Papa Leoni XIV kujtoi shenjtorët e mëdhenj të historisë së Francës, duke nënvizuar se dëshmia e tyre nuk i përket vetëm së kaluarës. “Edhe sot janë jashtëzakonisht të shumtë në shoqërinë tonë, në famullitë tona dhe në veprimtaritë tona të ndryshme, ata që vazhdojnë të angazhohen në mbrojtje të jetës, të familjes, të së vërtetës, të paqes, të vëllazërisë dhe të drejtësisë”, tha Papa.
Nga Parisi, Ati i Shenjtë ngriti një lutje për të gjithë Francën: “Nga ky qytet i bukur i Parisit, lutem me zjarr që uji i gjallë i Shpirtit Shenjt të përhapet mbi mbarë Francën”. Duke iu drejtuar familjeve, Leoni XIV shprehu mirënjohjen për këmbënguljen e tyre në përballimin e vështirësive të përditshme: “Mendoj për ju, familje të dashura, që, pavarësisht vështirësive të shumta me të cilat përballeni çdo ditë, vazhdoni me guxim në misionin tuaj”.
Një fjalë e veçantë iu kushtua të rinjve. Me një ton të drejtpërdrejtë e plot shpresë, Papa u tha: “Ju jeni Kisha e sotme!” dhe shtoi: “Sa bukur është të shohësh entuziazmin tuaj, gjallërinë tuaj, angazhimin tuaj dhe gëzimin tuaj brenda bashkësive të krishtera”.
Papa Leoni XIV përfshiu në përshëndetjen e tij edhe katekumenët dhe neofitët, ata që sapo kanë nisur udhën e fesë, të kthimit dhe të hyrjes në jetën e krishterë. “Mendoj edhe për ju, të dashur katekumenë dhe neofitë, që po nisni udhën e fesë, të kthimit dhe të fillimit të krishterë”, tha dhe në përfundim u drejtoi një urim të fuqishëm: “Dhurata e Shpirtit Shenjt bëftë prej jush dëshmitarë, të gatshëm të përhapni përreth jush qytetërimin e dashurisë”. (RV)