Sot, më 28 nëntor, në Prizren u përuruan sot truporja e Shën Nënë Terezës dhe sheshi që mban emrin e saj. Në këtë ngjarje moren pjesë z. Shaqir Totaj, Kryetari i Komunës së Prizrenit, Don Shan Zefi, Vikar i Dioqezës dhe famullitar i Katedrales Zoja Ndihmëtare në Prizren, si dhe Ipeshkvi i Dioqezës Prizren–Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, i cili u shpreh:
“Gonxhe Bojaxhiu, Shën Nënë Tereza, është shpirti më fisnik i popullit tonë dhe pasaporta jonë identitare në botë!”
Me këto fjalë, ipeshkvi shprehu nderimin për bijën shqiptare që, me jetën dhe veprën e saj, e bëri të njohur popullin tonë anembanë botës. Besimi në Krishtin e udhëhoqi Nënë Terezën drejt njerëzve më të varfër e më të braktisur, të cilëve u shërbeu me përkushtim gjatë gjithë jetës.
Truporja dhe sheshi në Prizren janë një shenjë mirënjohjeje për atë që ajo përfaqëson për ne. Emri i saj është pjesë e historisë sonë dhe e kujtesës së shumë njerëzve që gjetën tek ajo ndihmë, afërsi dhe shpresë. Prania e figurës së saj në këtë hapësirë publike do t’ua përcjellë këtë kujtim edhe brezave që vijnë.