Më 23 maj, në famullinë e Pejës, u kremtua Mesha e Shenjtë me rastin e ndarjes së Sakramentit të Përforcimit, Krezmimit. Në këtë kremtim morën pjesë të rinj dhe të reja, të cilët pas një periudhe përgatitjeje, pranuan dhuratën e Shpirtit Shenjt. Besimtarë u bashkuan në lutje, duke e bërë këtë ditë një ngjarje të veçantë për gjithë bashkësinë famullitare.
Kremtimi u përjetua me solemnitet, për kandidatët e Krezmimit, kjo ditë shënoi një hap të rëndësishëm në jetën e tyre të krishterë. Ata u ftuan të rriten në besim, të qëndrojnë pranë Krishtit dhe të jetojnë me përgjegjësi thirrjen e tyre si të krishterë. Sakramenti i Krezmimit i forcon të rinjtë me dhuratat e Shpirtit Shenjt. Ky sakrament i ndihmon ata të përballojnë sfidat e jetës me fe, guxim dhe shpresë.
Në të njëjtën kohë, ai i fton të bëhen dëshmitarë të dashurisë, me jetën e tyre, në Kishë dhe në shoqëri. Në predikimin e tij, Mons. Doda foli për rëndësinë e jetës së krishterë dhe për besnikërinë ndaj Ungjillit. Ai i inkurajoi të rinjtë që të mos frikësohen nga vështirësitë, por të mbështeten gjithmonë në praninë dhe fuqinë e Shpirtit Shenjt.
Famullitari, Don Lenc Sopi, shprehu mirënjohjen e tij për kandidatët, të cilët treguan seriozitet dhe përkushtim gjatë përgatitjes.
Ai falënderoi gjithashtu Ipeshkvin për praninë e tij baritore dhe për kujdesin ndaj bashkësisë së Pejës. Një falënderim i veçantë iu drejtua prindërve dhe familjeve, për rolin e tyre në edukimin njerëzor dhe të krishterë të fëmijëve.