O Atë, që me Gjakun e Paçmueshëm të Birit tënd të vetëm shëlbove gjithë njerëzit, ruaje në shpirtin tonë veprën e mëshirës sate, që duke kremtuar këto mistere të shenjta, të fitojmë frytin e shëlbimit tonë. Për Krishtin, Zotin tonë. Amen.
Qysh në fillim të këtij muaji korrik, që i kushtohet kremtimit të lavdisë dhe të hirit të pafund të Gjakut të Paçmuar të Jezusit, Kisha, deri jo shumë kohë më parë, na ftonte të kremtonim një festë solemne. Ajo vinte si një kurorëzim i bukur i muajit të Zemrës së Shenjtë: Festa e Gjakut të Paçmuar të Jezusit, që kremtohej më 1 korrik.
"Të dashur vëllezër e motra!
Sot fillon muaji korrik, të cilin tradita popullore ia kushton meditimit të Gjakut të Çmueshëm të Krishtit, mister i pashpjegueshëm dashurie dhe mëshire. [...] Gjaku i Krishtit është prova e pakundërshtueshme e dashurisë së Atit qiellor për çdo njeri, pa përjashtuar askënd. E gjithë kjo u nënvizua qartë nga i Lumi Gjon XXIII, i përshpirtshëm ndaj Gjakut të Zotit që nga fëmijëria, kur në familje dëgjonte të thuheshin Litanitë e posaçme. Pasi u zgjodh Papë, ai shkroi një Letër Apostolike për të nxitur kultin e tij (Inde a primis, 30 qershor 1959), duke i ftuar besimtarët të meditonin mbi vlerën e pafundme të atij Gjaku, nga i cili "një pikë e vetme mund të shpëtojë mbarë botën nga çdo faj" (Himni Adoro Te devote)". Kështu shprehej Papa i shenjtë Gjon Pali II më 1 korrik 2001 Po se korriku është muaji i Gjakut të Paçmuar të Jezu Krishtit?
Rrënjë biblike, jo sentimentale
Nuk është praktikë devocionale e lindur nga emocioni, por temë qendrore biblike. Në Besëlidhjen e Vjetër, gjaku është vendi dhe shenja e jetës e, për këtë arsye, e shenjtë: libri i Deuteronomit a Ligjit të Përtërirë riafirmon paprekshmërinë e tij. Gjaku i Qengjit të Pashkëve, i derdhur në shtalkat e dyerve, e shpëton popullin e Izraelit dhe bëhet figura që Besëlidhja e Re e merr dhe e çon në përmbushje: Krishti, Qengji i vërtetë, derdh gjakun e tij "për faljen e mëkateve". Tradita e krishterë e renditë derdhjen e gjakut gjatë gjithë jetës së Jezusit - nga Rrethprerja - e deri në Gjetseman; nga rrahja me kamzhik - deri te kurora me gjemba mbi kokë, e deri te gozhdët dhe shpimi i shtizës mbi kryq - duke i interpretuar ato si akt të vetëm dashurie shëlbuese. Është bërthamë teologjike, jo kult relikesh, që përbën zemrën e devocionit: gjaku shëlbues bëhet i pranishëm në çdo Eukaristi, në "kupën e bekimit" që Kisha ua ofron besimtarëve.
Reliket, bashkëvllazëritë dhe traditat mesjetare
Rreth kësaj bërthame, janë zhvilluar përkushtime lokale gjatë shekujve, të lidhura me reliket e hamendsuar të Gjakut të Krishtit. Më e famshmja është ajo e Mantovës, Itali, e vendosur në Bazilikën e Shën Andreut: sipas një tradite të devotshme, ushtari Longinus, i cili u kthye në fe të Krishtit pasi shpoi brinjën e Krishtit, mblodhi gjakun dhe e solli në Itali. Relike të ngjashme nderohen edhe ndër vende të tjera, në Sainte-Chapelle në Paris dhe në Abacinë e Weingarten. Këto janë prova të përhapjes së kultit, në vend të themeleve historike të verifikueshme: vetë kushtimi, siç e kujton tradita, "lindi në Kalvar" dhe që andej u përhap në viset e ndryshme të botës.
Ringjallja e shekullit të 19-të: Albertini, Gaspare del Bufalo, De Mattias
Devocioni jetoi një ringjallje të fortë në gjysmën e parë të shekullit të 19-të, në Romë, rreth një relikeje të ruajtur në Bazilikën e San Nicola in Carcere. Frymëzuesi ishte don Francesco Albertini, më vonë ipeshkëv, i cili krijoi Vëllazërinë e Gjakut të Paçmueshëm. Nga rrethi i tij dolën figurat që do ta bënin atë lëvizje shpirtërore me shtrirje të gjerë: Shën Gaspare del Bufalo, themelues i Misionarëve të Gjakut të paçmueshëm të të Lumit Jezu Krisht, predikatar i palodhur, që përhapi praktikën e "muajit" kushtuar Gjakut të Krishtit, duke përballuar keqkuptime e persekutime; dhe Shën Maria De Mattias, themeluese e Motrave Adhuruese të Gjakut të Krishtit. Nga këto rrënjë, në Itali dhe në mbarë botën lindën kongregata të shumta rregulltare kushtuar Gjakut të Shëlbuesit.
Institucioni i festës: Piu IX në mërgim
Kalimi vendimtar nga përkushtimi i përhapur - në festën liturgjike universale - mban firmën e Piut IX dhe një datë të dendur politikisht. Gjatë Republikës Romake, Papa ishte në mërgim, në Gaeta. Atje, sipas ritregimit tradicional, Atë Giovanni Merlini - i treti Epror i Përgjithshëm i Misionarëve të Gjakut të Çmueshëm, tani i Lum – e këshilloi të krijonte një festë universale të Gjakut të Krishtit, për t’i dhënë fund konfliktit. Më 30 qershor 1849, Papa Piu IX njoftoi se do ta themelonte festën; me dekretin Redempti sumus të 10 gushtit 1849, e caktoi për të dielën e parë të korrikut.
Korniza u përsos më vonë nga pasardhësit e tij. Piu X e zhvendosi kremtimin në një datë të caktuar, 1 korrik. Papa Piu XI e ngriti rangun e saj liturgjik në vitin 1934, me rastin e Jubileut të Shpengimit, në 1900-vjetorin e vdekjes së Krishtit. Festa, në atë kohë, kishte qytetari të plotë në kalendarin universal.
Gjoni XXIII, "Papa i Gjakut tejet të Çmuar"
Kapitulli tjetër i madh lidhet me Papën Gjonin XXIII, i cili e donte këtë devocion që nga fëmijëria - recitonte Litaninë e Gjakut, të cilën e mësonte në familje, çdo ditë në korrik. Si Papë, e bëri atë gur themeli të devotshmërisë së tij publike: në fillim të vitit 1960, miratoi Litanitë e Gjakut të Paçmuar të Krishtit për Kishën universale; më 31 janar 1960, duke mbyllur Sinodin Romak, e lartoi Shën Gaspare del Bufalon si apostullin më të madh të këtij përkushtimi; më vonë shtoi "I bekuar qoftë Gjaku i Tij më i çmuar" në lutjet "Zoti qoftë i bekuar", të cilat zakonisht thuhen në fund të Adhurimit Eukaristik. Akti më solemn mbetet Letra Apostolike Inde a primis, e datës 30 qershor 1960, në të cilën Gjoni XXIII shpjegoi kuptimin e devocionit, e lidhi atë me ato të Emrit dhe të Zemrës së Jezusit dhe porositi përhapjen e tij. Është dokumenti që ende sot përfaqëson referencën magjisteriale për kultin e Gjakut të Krishtit.
Reforma e Shën Palit VI dhe situata aktuale
Me reformën e kalendarit liturgjik pas Koncilit II të Vatikanit, Papa Pali VI nuk e shfuqizoi kultin, përkundrazi, e rithithi: festa autonome e Gjakut të Paçmuar të Krishtit u bashkua me atë të Corpus Christi, duke krijuar Solemnitetin e vetëm të Korpit dhe Gjakut të Shenjtë të Krishtit, të kremtuar në të gjithë Kishën. Megjithatë, përkujtimi i 1 korrikut mbetet në kalendarin e Formës së Jashtëzakonshme të Ritit Romak, e në Tokën e Shenjtë festimi ka një rëndësi të veçantë: çdo 1 korrik, në Bazilikën e Agonisë në Jerusalem, françeskanët e përkujtojnë duke shpërndarë petale trëndafili mbi shkëmbin e Gjetsemanit.
Për ritin e zakonshëm, përveç solemnitetit, mbetet një Meshë kushtuese e Gjakut të Paçmuar, (në Kishat në trevat shqiptare titulluar “Gjaku i paçmueshëm – domethënë, që nuk ka dhe nuk mund të ketë çmim) e cila mund të festohet në muajin korrik dhe në kohë të tjera të vitit. Kjo është edhe arsyeja pse, pavarësisht nga mungesa e një festë të mirëfilltë në krye të kalendarit, i gjithë muaji korrik vazhdon, sipas traditës, t'i kushtohet Gjakut të Krishtit.
Çka thotë sot Kisha
Kuptimi i këtij përkushtimi përcaktohet nga Drejtoria mbi Devotshmërinë Popullore dhe Liturgjinë (nr. 175-179), e cila e vendos kujtimin e Gjakut shpëtues në qendër të adhurimit Eukaristik: në asamblenë që i ngre "kupën e bekimit" Atit dhe ua ofron besimtarëve si bashkim të vërtetë me gjakun e Krishtit. Jo kult paralel, pra, por mënyrë për të rilexuar Misterin e Pashkëve duke nisur nga çmimi i tij.
Siç kujtonte Benedikti XVI, duke ringjallur traditën e Korrikut, gjaku i Krishtit është "pengu i dashurisë besnike të Zotit për njerëzimin": përballë plagëve të të Kryqëzuarit, çdo njeri mund të kujtojë se nuk është braktisur. E, në fund të fundit, sinteza e një përkushtimi që kalon njëzet shekuj e ndryshon formë liturgjike, por pa u shterrë kurrë.
(Vatican News)