Stubëll, 4 gusht 2026 – Në Kishën e Shën Jozefit në Stubëll u kremtua solemnisht Jubileu i 25-vjetorit të Shugurimit Meshtarak të Don Fatmir Koliqit dhe Don Nikson Shabanit. Ky përvjetor shënoi një moment të rëndësishëm për dy meshtarët, për Dioqezën Prizren-Prishtinë dhe në mënyrë të veçantë për Famullinë e Stubllës, prej nga burojnë thirrjet e tyre meshtarake.
Njëzet e pesë vite më parë, si pasardhës të denjë të martirëve të Malësisë së Shkupit, Don Fatmiri dhe Don Niksoni iu përgjigjën thirrjes së Zotit, duke ia kushtuar jetën shërbimit të Krishtit, Kishës dhe Popullit të Zotit. Kremtimi i këtij jubileu ishte një rast i bukur falënderimi për dhuratën e jetës dhe të meshtarisë, si dhe për frytet e shërbimit të tyre ndër vite.
Mesha solemne u kremtua në orën 11:00, në praninë e një numri të madh besimtarësh, meshtarëve, rregulltarëve e rregulltareve, familjarëve dhe mysafirëve. Në këtë kremtim morën pjesë edhe Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji; Argjipeshkvi i Tivarit në pension, Imzot Zef Gashi, i cili kishte shuguruar meshtarë Don Fatmirin dhe Don Niksonin para 25 vitesh; Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, znj. Justina Shiroka-Pula; meshtarët e Dioqezës, Këshilli i fshatit të Stubllës, familjarët e dy meshtarëve, si edhe shumë miq e dashamirë. Don Fatmiri dhe Don Niksoni bashkëkremtuan Meshën e Shenjtë, duke falënderuar Zotin për hirin e thirrjes dhe besnikërinë e Tij gjatë këtyre njëzet e pesë viteve të shërbimit meshtarak.
Homelinë e mbajti Imzot Lush Gjergji, i cili vuri në pah madhështinë e thirrjes meshtarake dhe rëndësinë e besnikërisë ndaj Krishtit në shërbimin e Kishës. Në fund të Meshës, Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji shprehu mirënjohjen e tij ndaj dy meshtarëve për përkushtimin, dëshminë dhe bashkëpunimin e tyre të palodhshëm në jetën dhe misionin e Dioqezës Prizren-Prishtinë. Edhe pse nuk mundi të ishte i pranishëm fizikisht, Argjipeshkvi i Tivarit, Imzot Rrok Gjonlleshaj, përcolli një telegram urimi, përmes të cilit falënderoi Don Fatmirin dhe Don Niksonin për shërbimin e tyre besnik, duke kujtuar me mirënjohje kohën kur, si famullitar i Stubllës, pati privilegjin t’i shoqëronte në hapat e parë të thirrjes së tyre drejt meshtarisë. Në emër të dy jubilarëve, Don Nikson Shabani shprehu falënderimet për Ipeshkvin, për Imzot Zef Gashin, për familjet, profesorët e seminarit, bashkëmeshtarët, miqtë dhe të gjithë ata që i kanë mbështetur gjatë rrugëtimit të tyre meshtarak. Ai i ftoi të pranishmit që të vazhdojnë t’i shoqërojnë me lutje, duke theksuar se dhurata më e çmuar që besimtarët mund t’i bëjnë një meshtari është lutja dhe afërsia e tyre shpirtërore. Një moment veçanërisht i këndshëm, ishte edhe befasia e recitimit të një poezie të përgatitur nga ministrantja e Famullisë së Stubllës, Magdalena Ramaj, e cila ia kushtoi këtë poezi dy meshtarëve me rastin e jubileut të tyre.
Pas përfundimit të Meshës së Shenjtë, besimtarët patën mundësinë t’i urojnë personalisht Don Fatmirin dhe Don Niksonin, ndërsa më pas u organizua një koktej rasti, ku të pranishmit ndanë së bashku gëzimin e kësaj dite të veçantë. Festa përfundoi me një drekë të përbashkët.
Duke iu bashkuar këtij falënderimi, Dioqeza Prizren-Prishtinë lutet që Zoti ta vazhdojë t’i shoqërojë Don Fatmir Koliqin dhe Don Nikson Shabanin në çdo ditë të jetës dhe shërbimit të tyre meshtarak, t’i forcojë në misionin e tyre si dëshmitarë të Krishtit dhe t’u japë hirin e shenjtërisë, që jeta e tyre të mbetet gjithmonë një dëshmi e gjallë e Ungjillit.
Përgatiti për Dritën: Adelina Palushi