Në Kepin e Gjelbër për 50-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike me Selinë e Shenjtë, kryeipeshkvi-Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare mbajti një konferencë më 11 maj, në të cilën vuri në dukje metodat e punës së diplomacisë papnore. Marrëdhëniet me 184 shtete dhe 93 misionet e akredituara në Romë dëshmojnë një përvojë të gjatë në promovimin e drejtësisë dhe në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor
Mbrojtja e jetës, familjes, lirisë fetare, të drejtave të njeriut, demokracisë, bashkëpunimit shumëpalësh dhe së drejtës ndërkombëtare janë "vlerat themelore" të përbashkëta të Selisë së Shenjtë dhe Kepit të Gjelbër. Këto shoqërohen nga "sfida të mëdha globale": konflikte, krizë klimatike, pabarazi, migrim, transformim teknologjik, trafik droge, krizë vlerash, individualizëm dhe humbje e ndjenjës së të vërtetës. Kjo është tabloja e përgjithshme e përshkruar nga Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, në konferencën e mbajtur të hënën, më 11 maj, në Kepin e Gjelbër. Prelati do të vizitojë republikën ishullore afrikane deri më 14 maj, me rastin e 50-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike të vendit me Selinë e Shenjtë.
"Gjysmë shekulli dialog, bashkëpunim dhe miqësi e vërtetë ndërmjet një shteti të ri sovran dhe njërit prej institucioneve diplomatike më të vjetra në botë", sintetizoi prelati në fjalimin e tij në spanjisht, duke theksuar se diplomacia papnore ka "një traditë të gjatë historike", me "objektiv qendror" paqen, mbrojtjen dhe promovimin e dinjitetit njerëzor. Ai kujtoi origjinën e saj në shekullin XI, në kohën e Reformës Gregoriane, me institucionalizimin e "së drejtës së legacionit" brenda Kishës; përmendi qëndrueshmërinë institucionale të arritur në shekullin XV, me kalimin nga misione të rastit në misione të përhershme - një tipar qendror i diplomacisë moderne; si edhe konsolidimin e saj në shekujt XVI e XVII, me dallimin ndërmjet nuncëve, legatëve dhe internuncëve.
Aktualisht, "Selia e Shenjtë mban marrëdhënie diplomatike me 184 shtete, përveç Bashkimit Evropian dhe Urdhrit Ushtarak Sovran të Maltës" dhe, ka 93 misione diplomatike të akredituara në Selinë e Shenjtë me seli në Romë, vazhdoi imzot Gallagher, duke u thelluar në metodat e punës së diplomacisë papnore dhe në funksionimin e Sekretarisë së Shtetit në misionin e saj në shërbim të Papës. Marrëdhëniet me Republikën e Kepit të Gjelbër u lidhën edhe para shpalljes së pavarësisë në vitin 1975, në kuadrin e përvojës shekullore të Selisë së Shenjtë "në shërbim të paqes, drejtësisë, mbrojtjes dhe promovimit të dinjitetit njerëzor". Kryeipeshkvi kujtoi audiencën e Papës Pali VI më 1 korrik 1970, në Vatikan, me disa nga krerët e lëvizjeve afrikane për pavarësi: një takim, vërejti ai, që "çoi në ndërprerjen e përkohshme të marrëdhënieve me Portugalinë, por dëshmoi angazhimin e guximshëm të Kishës në mbështetjen e kauzës afrikane dhe të dinjitetit të popujve".
Ndërkaq, prania e Kishës është e rrënjosur në historinë më të thellë të Republikës së Kepit të Gjelbër, duke e bërë atë element përcaktues të identitetit: misionarët katolikë, ndër banorët e parë të arkipelagut afrikan në vitin 1462, ndikuan thellësisht në kulturën, artin, muzikën dhe zakonet e saj. Në vitin 1533, u krijua dioqeza e Santiago de Cabo Verde, e para në Afrikën Sub-Sahariane, duke e bërë këtë tokë "një qendër ungjillëzimi dhe organizimi shoqëror, me shkolla, spitale dhe institucione arsimore", vuri në dukje imzot Gallagher. Kisha kërkon "që dinjiteti njerëzor të respektohet dhe t'i garantohet liria për të kryer misionin e saj", sqaroi Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet, duke vendosur në këtë kontekst Marrëveshjen e vitit 2013 ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Kepit të Gjelbër, që garanton ndihmën veçanërisht në fushat e shëndetit dhe të edukimit.
Prelati kërkoi një "diplomaci shprese dhe vlerash", për t’i dhënë përgjigje thirrjes së Papës për një "paqe të çarmatosur dhe çarmatosëse" përmes "marrëdhënieve të bazuara në dashuri dhe në të vërtetën". Së fundi, ai i inkurajoi udhëheqësit dhe popullin e Kepit të Gjelbër të "punojnë për të mirën e përbashkët, drejtësinë, unitetin dhe solidaritetin". Po dje, në prani të kryeipeshkvit, u firmos Protokolli për Zbatimin e Marrëveshjes Dypalëshe të vitit 2013, nënshkruar nga Kisha lokale. R.SH/ Vatikan