Pas përfundimit të procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës, Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ka shprehur mirënjohjen e tij për zhvillimin paqësor dhe demokratik të zgjedhjeve, duke i ftuar njëkohësisht subjektet politike që, me ndjenjë të lartë përgjegjësie ndaj qytetarëve dhe të ardhmes së vendit, të angazhohen pa vonesë në krijimin e institucioneve funksionale dhe të qëndrueshme.
Gjatë ditëve që paraprinë zgjedhjet, Imzot Dodë Gjergji kishte bërë thirrje që procesi zgjedhor të zhvillohej në një klimë qetësie, respekti dhe kulture demokratike, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të vullnetit të lirë të qytetarëve dhe të pjesëmarrjes së përgjegjshme në jetën publike.
Procesin zgjedhor ai e ka përcjellë me lutje, duke kërkuar prej Zotit që vendi të ruhet në paqe e harmoni dhe që çdo qytetar të ushtrojë me ndërgjegje të drejtën dhe detyrën e vet qytetare. Sipas tij, zgjedhjet përbëjnë një shprehje të pjekurisë demokratike të një populli dhe një mundësi për të forcuar themelet e bashkëjetesës, dialogut dhe shërbimit ndaj së mirës së përbashkët.
Duke reflektuar mbi hapin e radhës pas procesit zgjedhor, Imzot Dodë Gjergji theksoi:
“Vota e qytetarëve meriton të gjejë shprehje të shpejtë dhe të përgjegjshme në institucionet e vendit. Çdo vonesë e panevojshme në formimin e tyre dobëson aftësinë e shtetit për t’iu përgjigjur nevojave të popullit dhe pengon ecjen përpara të proceseve të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës.”
Ai nënvizoi se demokracia nuk përmbyllet me aktin e votimit, por vazhdon përmes ushtrimit të përgjegjësisë publike dhe ndërtimit të institucioneve që u shërbejnë qytetarëve:
“Demokracia nuk është vetëm e drejta për të zgjedhur, por edhe detyrimi moral për të bashkëpunuar në shërbim të së mirës së përbashkët. Prandaj, koha që pason zgjedhjet kërkon urti, pjekuri politike dhe gatishmëri për dialog.”
Në këtë kontekst, Ipeshkvi i Kosovës kujtoi se stabiliteti institucional është kusht i domosdoshëm për zhvillimin e vendit, për forcimin e drejtësisë, përparimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve.
Duke iu drejtuar besimtarëve dhe mbarë qytetarëve të Kosovës, ai ftoi të gjithë të bashkohen në lutje për vendin dhe për ata që janë të thirrur të mbajnë përgjegjësi publike:
“Lutemi që Zoti t’i ndriçojë mendjet dhe zemrat e të gjithë atyre që kanë marrë besimin e qytetarëve, në mënyrë që në çdo vendim të mbizotërojë dashuria për atdheun, respekti për dinjitetin e çdo personi dhe përkushtimi ndaj së mirës së përbashkët. Vetëm mbi këto themele mund të ndërtohet një shoqëri më e drejtë, më e bashkuar dhe më shpresëdhënëse për brezat që vijnë.”
Në përfundim, Imzot Dodë Gjergji shprehu shpresën se forcat politike do të dëshmojnë pjekuri institucionale dhe frymë bashkëpunimi, në mënyrë që Kosova të ketë sa më parë institucionet e nevojshme për t’u përballur me sfidat dhe për të çuar përpara aspiratat e qytetarëve të saj. (R. Drita).