Më 7 tetor 2026, në Bishtazhin u kremtua Festa e Zojës së Rruzares dhe 100-vjetori i themelimit të famullisë, 1926–2026. Mesha e Shenjtë u kremtua nga Imzot Rrok Gjonlleshaj. Në fjalën e tij hyrëse, ai theksoi rëndësinë e lutjes dhe të Rruzares në jetën e besimtarëve, duke e lidhur këtë përkushtim me festën e bashkësisë famullitare.
Famullitari, Don Lush Sopi, u uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe përshëndeti ipeshkvin, meshtarët, rregulltaret, përfaqësuesit e institucioneve dhe besimtarët. Në fjalën e tij, ai e paraqiti njëqindvjetorin si rast për të kujtuar me mirënjohje historinë e famullisë dhe të gjithë ata që, ndër breza, kanë kontribuar në jetën e saj. Ai falënderoi të pranishmit që u bashkuan në këtë festë dhe i ftoi të ndajnë së bashku gëzimin e jubileut.
Predikimin e mbajti Don David Gjugja, bir i famullisë dhe Drejtor i Radio Vatikanit. Në kontekstin e festës dhe të njëqindvjetorit, predikimi i tij solli në vëmendje rëndësinë e ruajtjes dhe përcjelljes së besimit. Kujtimi i historisë së famullisë, në këtë jubile, shërben edhe si thirrje që bashkësia ta vazhdojë misionin e saj dhe t’ua përcjellë brezave të rinj thesarin e besimit. Don David përcolli gjithashtu Bekimin Apostolik të Papës Leonit XIV për famullinë dhe besimtarët e saj.
Në Meshë morën pjesë Motër Loreta Lekaj, Eprore e Përgjithshme e Motrave Françeskane të Zojës së Papërlyer, Kryetari i Komunës, z. Ardian Gjini, si dhe z. Anton Quni, bir i kësaj famullie.
Një nga çastet më domethënëse të Meshës ishte pajtimi i dy familjeve, pas 23 vitesh. Familja Radi nga Smaqi i fali gjakun e djalit të saj familjes Markaj nga Fshaji. Ky akt faljeje dhe pajtimi u bë një dëshmi e rëndësishme e mundësisë për të ndërtuar paqe dhe për të kapërcyer ndarjet mes familjeve.
Pas Meshës së Shenjtë u bekua pllaka përkujtimore e 100-vjetorit të famullisë, si dhe rruzaret e përgatitura për besimtarët.
Në përfundim, Don Lush Sopi shprehu falënderimin për Imzot Rrok Gjonlleshaj, Don David Gjugja, të ftuarit dhe të gjithë besimtarët që morën pjesë. Famullia falënderon gjithashtu të gjithë ata që ndihmuan në përgatitjen dhe mbarëvajtjen e kësaj dite të rëndësishme.