DON AGIM QERKINI - FAMULLITAR i Katedralës "Shën Nënë Tereza" - Prishtinë
Motrat e nderit: Në Prishtinë, veprimtarinë e tyre e zhvillojnë tri Kongregata të Motrave të Nderit: Motrat e Mëshirshme të Shën Kryqit (prej vitit 1959); Motrat Vinçenciane (prej vitit 2000) dhe ato Françeskane të Zojës së Papërlyer prej vitit 2018.
FAMULLIA E PRISHTINËS
Famullia e Prishtinës, megjithëse e themeluar në kohë të vonshme, ndërlidhet me kohët dhe vendet e lashta iliro arbërore të zonës, sidomos me qytetin antik të Ulpianës, sot park arkeologjik i pasur i Kosovës me bazilika paleokristiane, pagëzimore dhe varreza, dëshmi e pakontestueshme e Kishës në këtë rrethinë.
Ndonëse nga antika dhe mesjeta e hershme ka pak dokumente për Kishën në Prishtinë dhe këto pjesë të vendit tonë, megjithatë, nga ato pak shënime historike, dëshmohet se prania e saj, përkundër ndeshtrashave dhe sfidave tejet të mëdha që i ka kaluar, nuk është ndërprerë krejtësisht asnjëherë.
Në qytetin e Prishtinës së sotme, për herë të parë e hasim kishën e Shën Marisë, në vitin 1424, e cila ndodhej në pjesën e vjetër të qytetit. Sipas të dhënave historike, ajo ishte zonë administrative e qytetit. Deri në shek. XVII, në Prishtinë pati një prani kishtare, e cila me vdekjen e Imzot Pjetër Bogdanit, në vitin 1689, dhe zhvarrosjes së tij nga otomanët, praktikisht u spastrua dhe kisha/t shndërrohet/n në xhami. Aty mbeti një numër i vogël i besimtarëve, që lëviznin nëpër vendbanimet përreth, për të cilët kujdeseshin meshtarë nga Janjeva, si dhe meshtarë misionarë të dërguar nga Ordinariati Ipeshkvor.
Në Prishtinë kanë shërbyer edhe Arqipeshkvi Ndre Bogdani dhe Don Gjon Bogdani. Në një prej relacioneve, ai shkruan: “I pandërmjemë para fillimit të luftës së Austrisë e Mletëve me Turqinë, misionari i Dioqezës së Shkupit, Gjon Bogdani, zhvilloi një punë të gjallë në Prishtinë, Trepçë dhe Drenicë tek numri i vogël i katolikëve”.
Meshtarët që kanë shërbyer në Prishtinë janë kujdesur edhe për besimtarët e qyteteve përreth, si: Novo Bërdë (Artanë), Vushtrri, Trepçë etj.
Në fillim të shek. XVIII, Arqipeshkvi Pjetër Karagiqi, në relacionin e tij mbi vizitën kanonike në Arqipeshkvinë e Shkupit të vitit 1706, shkruante: “Në qytetet Janjevë e Prishtinë dhe shumë fshatra përreth, famullitar dhe misionar apostolik ishte Don Gjergj Bogdani. Në këto vendbanime kishte 300 besimtarë të krishterë dhe se në Janjevë gjendet kisha e Shën Nikollës, pothuajse e shkatërruar, ndërsa në Prishtinë gjendet kisha e Shën Venerandës, e cila është e padëmtuar fare nga turqit edhe gjatë gjithë kohës së luftës”. Më vonë, edhe për këtë kishë shkruan se “i kanë mbetur vetëm muret”.
Pas një periudhe të gjatë prej dy shekujsh, në mbarim të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, qyteti i Prishtinës ripopullohet me katolikë, kryesisht me familje tregtarësh që vijnë nga pjesë të ndryshme të Kosovës (Prizreni, Gjakova, Peja...).
Kisha e parë pas kësaj shkëputjeje, e njohur me emërtimin si kisha e “Stakajve”, u ndërtua në vitin 1928 nga një meshtar françeskan, kapelan ushtarak dhe iu kushtua Shën Ndout të Padovës.
Ajo ndodhej në sheshin e sotëm “Zahir Pajaziti”. Prishtina ishte në administrim të salezianëve nga Janjeva dhe ky status i famullisë së Prishtinës zgjat deri në vitin 1964.
Përndryshe, kisha e ndërtuar në vitin 1928 u rrënua nga regjimi komunist në vitin 1958, duke e arsyetuar me planin urbanistik të qendrës së qytetit. Për ta justifikuar këtë arsyetim, Kishës i jepet një parcelë në periferi të qytetit, në lagjen e sotme të “Dardanisë” (nën ndërtesën e sotme të KEDS-it). Ndonëse ishte planifikuar që aty të ndërtohej kisha, përsëri regjimi nuk e lejoi ndërtimin, me të njëjtin arsyetim, duke i ndarë një parcelë tjetër (atëherë) jashtë qytetit, vendi ku gjendet sot kisha e “Shën Ndout” në lagjen Ulpiana. Kjo kishë u ndërtua në vitet 1959-1964. Famullitari i parë i famullisë së Prishtinës është emëruar Don Josip Bakan, salezian, i cili edhe më parë nga Janjeva e kishte administruar Prishtinën. Në vitin 1959 ai kaloi me banim në Prishtinë. Po atë vit, erdhën për të shërbyer në Prishtinë motrat e Kongregatës së Shën Kryqit, ndërsa ai e filloi ndërtimin e kësaj kishe.
Me dekret të dt. 13 qershor 1964, të ipeshkvit të atëhershëm të Ipeshkvisë Shkup-Prizren, Imzot Smiljan Cekada, u themelua famullia e Prishtinës “Shën Ndou”.
Në vitin 1971 u emërua famullitari i parë shqiptar, Don Zef Gashi, salezian, i cili në Prishtinë shërbeu deri në vitin 1992.
Famullia e Prishtinës deri në vitet e ‘90-ta kishte një numër relativisht të vogël besimtarësh, kryesisht të ardhur nga famullitë tjera të Kosovës si tregtarë, si punëtorë të administratës apo edhe si studiues e profesorë. Ishin shqiptarë e kroatë (të ardhur nga Janjeva), të cilët përveç në Prishtinë banonin në pjesën e Kishnicës e të Fushë Kosovës. Mesha kremtohej në të dy gjuhët.
Gjatë viteve të ‘90-ta, famullia “Shën Ndou” në Prishtinë, përveç oazë lutjeje ishte edhe vatër kulturore në kryeqytet, e angazhuar në aspekte sociale dhe edukative, në bashkëpunim të ngushtë me të rinjtë dhe me shumë njerëz vullnetmirë.
Duhet përmendur veprimtarinë e Aksionit të Rinisë Shqiptare, Shoqata “Pjetër Bogdani”. Për shkak të gjendjes tejet të ndjeshme politike e sidomos të dëbimit të shqiptarëve nga puna e të nxënësve nga shkollat e tyre, gjatë kësaj periudhe në famulli bashkoheshin shqiptarët pa dallim feje, aktivistë e intelektualë të shumtë, të rinj e studentë që organizoheshin duke mbajtur kurse të ndryshme e aktivitete kulturore në fushën e botimeve, siç ishte edhe revista “Shpresa”, pa lënë anash veprimtarinë bamirëse.
Në kuadër të famullisë vepron Bashkësia e prindërve “Cenaculo” që ndihmon shërimin e të rinjve nga varësi të ndryshme.
Prej vitit 2007 është aktive edhe mensa për të varfrit. Si vepër karitative që nga themelimi i kësaj mense, aty ushqehen (drekë) rreth 120 nevojtarë.
Në vitin 2009 – Famullia kalon nga salezianët në administrim të meshtarëve dioqezanë, ndërsa ata vazhdojnë veprimtarinë në baritoren e edukimit, përkatësisht në Shkollën “Don Bosko” në Prishtinë.
KATEDRALJA “SHËN NËNË TEREZA”
Informata të përgjithshme: Bekimi i gurëthemelit u bë më 26 gusht 2005. Ndërtimi i kishës filloi më 5 shtator 2007. Në njëvjetorin e kalimit në amshim të Nënë Terezës, më 5 shtator 2017 u bë shugurimi i Katedrales dhe kushtimi saj “Shën Nënë Terezës”. Në anën e majtë të altarit, ruhen e nderohen reliktet e Shën Nënë Terezës (pika gjaku të saj). Veprat artistike dhe vitrazhet flasin për Kishën universale, si dhe lashtësinë e saj (e kohës së apostujve) në popullin tonë.
Pranë Katedrales gjendet Ordinariati Ipeshkvor dhe zyra e famullisë së Prishtinës, e cila me përkushtim vazhdon ecurinë e jetës baritore dhe kulturore në Kryeqytet. Sot famullia ka mbi 400 familje që banojnë në të gjitha lagjet e kryeqytetit.
Qendra kulturore “BOGDANIPOLIS”: Pjesë e Katedrales është edhe qendra “BOGDANIPOLIS” dedikuar jetës baritore e kulturore në përgjithësi. Aty mbahen aktivitete të ndryshme, si: takime me natyrë shkencore, konferenca, ekspozita, promovime, festa të ndryshme solemne etj.
Biblioteka “Ernest Koliqi”
Në hapësirën e qendrës “Bogdanipolis” gjendet biblioteka “Ernest Koliqi”, në të cilën mbahen aktivitete të rregullta, si: orë letrare, promovime librash etj.
KONTAKTI
Famullia e Prishtinës
Katedralja “Shën Nënë Tereza”
Blvd. Bill Clinton p.n.
10000 Prishtinë
Tel: +383 48 221 114
E-Mail: famulliaprishtine@gmail.com