Shërbimi në famulli: Motrat Vinçenciane
Famullia Zoja e Këshillit të Mirë në Klinë përfaqëson një nga famullitë kryesore të besimit katolik në trevën e Dukagjinit. Kjo famulli ka kaluar nëpër periudha të vështira historike, duke ruajtur identitetin fetar, kulturor dhe kombëtar të besimtarëve të saj.
Prania katolike në zonën e Klinës dëshmohet që në Mesjetë (shek. XIII–XV), kur Dukagjini ishte një nga trevat me përhapje të gjerë të krishterimit ndër shqiptarë (si psh. gërmimet arkeologjike në Dresnik dhe Dollc). Në këtë periudhë, jeta fetare ishte e organizuar dhe e lidhur ngushtë me jetën shoqërore të popullsisë vendase.
Me vendosjen e sundimit osman (shek. XV–XIX), komuniteti katolik në Klinë u përball me tkurrje të ndjeshme për shkak të presioneve ekonomike, shoqërore dhe fetare. Shumë familje u shpërngulën ose u konvertuan, por besimi katolik nuk u shua kurrë plotësisht. Ai u ruajt kryesisht në familje dhe në fshatra të veçanta, ndërsa shërbimi meshtarak ofrohej nga meshtarë që vinin nga qendra të tjera të Dukagjinit.
Lufta e Kosovës (1998–1999) shënoi një kthesë historike. Famullia e Klinës u riorganizua dhe u ringrit, duke u bërë pjesë aktive e Dioqezës Prizren – Prishtinë. U rindërtuan objektet kishtare, u rikthyen besimtarë të shpërngulur dhe u rivendos jeta e rregullt liturgjike. Meshtarët që shërbyen pas luftës luajtën rol kyç jo vetëm në jetën shpirtërore, por edhe në pajtime të familjeve, edukimin fetar të të rinjve dhe forcimin e bashkësisë famullitare.
Famullia e Klinës ishte dikur pjesë e famullisë së Zllakuqanit, por prej 1 janar 1983, me dekretin e Ipeshkvit Mons. Joakim Herbut dhe Ipeshkvit Imzot Nikë Prela, pavarësohet duke u bërë ndër famullitë me të reja dhe më të mëdha të Dioqezës. Famullia e Klinës përfshinë historikisht qytetin e Klinës dhe disa fshatra përreth, ku prania katolike është ruajtur në mënyrë të vazhdueshme, veçanërisht fshatrat: Deiç, Dobërdol, Pogragjë, Caravik, Çabiq, Gjurgjevik i madh dhe Gjurgjevik i vogël, Perlina, Dollc, Polce, Krushevë e vogël etj. Përveç Kishës së Zojës së Këshillit të Mirë, kjo famulli ka edhe dy kisha tjera dhe një kapele nder varreza: Kishën e Ngjitjes së Zojës në qiell në Doberdol, Kishës së Shën Mëhillit në Deiq dhe Kapelës së Shën Gjergjit në Pogragjë.
Famullitari i parë i kësaj famullie ka qenë don Franë Sopi dhe ka qendruar për shumë vite në këtë. Pas tij ka pasuar don Lenc Sopi dhe don Agim Qerkni. Aktualisht famullitar i kësaj famullie është don Jeton Thaqi. Në këtë famulli kanë shërbyer edhe shumë ndihmës famullitar gjatë këtyre viteve.
Në famullinë e Klinës qysh prej themelimit të saj shërbejnë motrat e nderit, Bijat e dashurisë së krishterë të Shën Vinçenc de Paolit.
Famullia e Klinës sot është një qendër e gjallë shpirtërore, ku zhvillohen rregullisht shërbesat liturgjike, katekizmi për fëmijë e të rinj, si dhe veprimtari kulturore e humanitare. Ajo vazhdon të kontribuojë në jetën shoqërore të zonës, duke dëshmuar bashkëjetesën fetare dhe identitetin e krishterë shqiptar.
Historia e Famullisë së Klinës është histori e qëndresës, besimit dhe vazhdimësisë. Përmes shekujve të vështirë dhe ndryshimeve të mëdha historike, kjo famulli ka mbetur një shtyllë e rëndësishme shpirtërore për besimtarët e saj dhe një dëshmi e gjallë e trashëgimisë katolike në Kosovë.