Shërbimi në famulli: Motrat Vinçenciane
HISTORIKU
Letnica, e vendosur në Malësinë e Shkupit, në juglindje të Kosovës, përmendet që në vitin 1411 si vendbanim me bashkësi katolike. Që nga viti 1622 figuron rregullisht si famulli, fillimisht kushtuar Shën Gjergjit, ndërsa më vonë si Famullia e Ngritjes së Marisë Virgjër në Qiell (15 gusht). Që nga shekujt e hershëm, Letnica me rrethinë njihet si vend me pasuri minerale, por mbi të gjitha si vendshtegtim i rëndësishëm marian. Devocioni ndaj Virgjërës Mari, të cilën populli e quan “Zoja Cërnagore” apo Zoja e Letnicës, e ka bërë këtë kishë qendër shpirtërore për katolikët e Kosovës dhe të vendeve përreth (Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Kroacisë etj.). Kisha e Letnicës është Shenjtërore Nacionale në Kosovë. Ajo ruan truporen e Zojës, e cila sipas traditës u soll nga Shkupi në Letnicë në shek. XVII dhe që ndër shekuj nderohet si mrekullibërëse.
RËNDËSIA HISTORIKE DHE SHPIRTËRORE
Letnica lidhet me dy ngjarje madhore në historinë e Kishës Katolike në Kosovë:
1. Kisha e Betimit të Martirëve (1843) – Besimtarët e Malësisë së Shkupit – nga Stublla, Terziaj, Binça dhe Vërnakolla – të detyruar të jetonin si kriptokatolikë (laramanë) gjatë Perandorisë Osmane, në vitin 1843 u betuan publikisht në këtë kishë për ta dëshmuar hapur fenë katolike dhe përkatësinë e tyre shqiptare. Ky akt besnikërie para Zojës së Letnicës mbetet një ndër momentet më të fuqishme të identitetit fetar dhe kombëtar.
2. Kisha e Thirrjes së Nënë Terezës – Më 14 gusht 1928, Gonxhe Bojaxhiu, pas viteve të lutjes dhe shoshitjes shpirtërore, në këtë shenjtërore mori vendimin për t’iu kushtuar Zotit si motër misionare. Ajo dëshmonte se para trupores së Zojës së Letnicës kishte gjetur dritën dhe forcën për “po”-në e madhe të jetës së saj. Devocioni i saj i thellë marian lidhet ngushtë me përvojën shpirtërore në Letnicë.
ORGANIZIMI BARITOR DHE JETA E SHENJTËRORES
Shenjtërorja është e organizuar nëpërmjet rektorit, i cili është përgjegjës, meshtarëve ndihmës, që janë kryesisht të moshës së shtyrë, dhe motrave vinçenciane, që asistojnë në jetën liturgjikedhe baritoren e të sëmurëve:
Shenjtërorja është qendër e gjallë baritore gjatë gjithë vitit. Aty organizohen:
• Ushtrime shpirtërore për meshtarë, rregulltarë dhe laikë; takime formuese për të rinjtë; kremtime liturgjike të rregullta; përshpirtëri mariane. Takime shpirtërore dhe këshilluese me shtegtarë të moshave të ndryshme.
Dy momente kulmore të shtegtimit gjatë vitit janë:
• Muaji maj, kushtuar Virgjërës Mari, me shtegtimin e besimtarëve të Dioqezës në të shtunën e fundit të muajit;
• Nëntëditëshi dhe festa e Zojës së Letnicës, si shtegtim dhe përgatitje shpirtërore (gjatë 6-14 gusht) për kremtimin e festës së Ngritjes së Marisë Virgjër në Qiell (15 gusht), kur numri i shtegtarëve arrin mbi dhjetë mijë pjesëmarrës.
Shenjtërorja është vendtakim me Zotin, vend urate dhe qetësie shpirtërore. Shtegtojnë njerëz të moshave dhe përkatësive të ndryshme fetare, duke u bërë kështu hapësirë dialogu dhe bashkëjetese. Shtegtarët dëshmojnë se në Shenjtërore përjetojnë paqe, pajtim dhe forcë për jetën e përditshme. Janë të dokumentuara edhe dëshmi për hire dhe mrekulli të përjetuara nga besimtarë ndër nevoja fizike dhe shpirtërore. Shenjtërorja e Letnicës mbetet një votër shpirtërore e Dioqezës sonë Prizren-Prishtinë: vend kujtese historike, vend dëshmie martirësh dhe vend thirrjeje për shenjtëri. Ajo është vend-hapësirë ku feja, kultura dhe identiteti ndërthuren në një histori të gjallë që vazhdon edhe sot.
Administratori aktual i famullisë dhe shenjtërores: Don Fatmir Koliqi
KONTAKTI
Shenjtërorja e Zojës së Letnicës
F.sh. Letnicë
61000 Viti
Tel: +383 49 174 790
E-Mail: fatmir.koliqi@hotmail.com