Kuvendi Françeskan:
Famullinë e shërbejnë këta fretër:
p. Aleksandër Tanushi, OFM – guardian i Kuvendit dhe famullitar
p. Ndue Kajtazi, OFM, – vikar i Kuvendit dhe zëvendës i famullitar
p. Ambroz Ukaj, OFM – ekonom i Kuvendit dhe zëvendës famullitar
p. Lovro Gavran, OFM – zëvendës famullitar
p. Ilija Kovačević, OFM – zëvendës famullitar
p. Anton Nua, OFM – zëvendës famullitar
mons. Hil Kabashi, OFM – ipeshkëv në pension
Shërbimi në famulli: Motrat e Shën Kryqit
Gjakova është famullia më e madhe e Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë në Kosovë. Deri pas Luftës I. botërore ajo ishte e vetmja famulli katolike ndërmjet Pejës dhe Zymit. Famullia e Bishtazhinit u nda nga famullia e Gjakovës në vitin 1921, ajo e Becit dhe e Novosellës në vitin 1922. Gjakova sot i ka mbi 5.200 besimtarë që jetojnë në Kosovë, ndërsa dyfish më shumë janë ata që nga kjo famulli janë shpërngulur në shtetet e botës perëndimore (më së shumti në Zvicër), por që ende janë të lidhur shumë me famullinë e vet të prejardhjes, pasi që – si pagëzimet, po ashtu edhe kurorëzimet – i kryejnë në vëndlindje.
Jeta baritore e famullisë së Gjakovës është shumë aktive. Këtë famulli që nga viti 1958 e drejtojnë vëllezërit françeskanë, në bashkëpunim me Motrat e mëshirshme të shën Kryqit, të cilat që nga viti 1964 sherbejnë në këtë famulli.
Motrat françeskane të Zojës së Papërlyer: Këto motra janë të pranishme në Gjakovë që në vite 1990-2000. Pastaj, pas një ndërprerjeje, prej vitit 2015 ato në Gjakovë e kanë Kopshtin e fëmijëve “Shën Klara”. Nga viti 2020 prej këtij kuvendi nga dy motra shërbejnë edhe famullitë e Bishtazhinit, Novosellës dhe të Pjetërshanit. Gjithsej në kuvend jetojnë 11 motra.
Në qytet janë dy kisha:
1) Kishën famullitare të shën Pjetrit e Palit apostuj. Kisha e parë nga koha e sundimit otoman ishte në formë të një shtëpie familjare. E dyta, të cilën populli e mban mend mirë, ishte ndërtuar në vitin 1938 dhe në vitin 1959 e rinovoi famullitari i ri, p. Kruno Miklić OFM, i cili e ndërtoi edhe kuvendin e vjetër françeskan pranë kishës famullitara (në vite 1961-1964). Ndërtimi i kishës ekzistuese filloi pas lufte, në vitin 2001 – dhe në të ende vazhdojnë punimet, megjithëse kisha i shërben qëllimit të vet që nga viti 2008.
2) Kemi edhe kishën (apo shenjtëroren) e shna Ndout, që është themeluar në vitin 1882 nga fra Emilio Gabos. Kishë ekzistuese e ka ndërtuar p. Lorenc Mazrreku në vitin 1930/31, me rastin e 700 vjetorit të vdekjes së shna Ndout. Ajo u rinovua në vitin 1959, 1996 dhe në vitin 2000 (pas dëmtimeve që pësoi në luftë). – Kuvendi i ri françeskan pranë kësaj kishe u ndërtua në vitin 1990-1995, por shpejt u dëmtua në luftë dhe u rinovua pas luftës, në vitin 2000.
Famullia e Gjakovës i ka edhe 10 kisha filiale:
1. Vogovë – kisha e shën Markut Ungjilltar (e para e ndërtuar në vitin 1929; e dyta në vitin 1980/81 dhe e rindërtuar në vitin 2021/22); 2. Ramoc – kisha e Lindjes së Virgjërës Mari (e para e ndërtuar në vitin 1972; e dyta në
vitin 2015); 3. Osek Pashë – kisha e Shën Jozefit (e para e ndërtuar në vitin 1976; e dyta në vitin 2013); 4. Korenicë – kisha e Shën Mihillit, kryeengjell (e para e ndërtuar në vitin 1976; e dyta në vitin 2014); 5. Moglicë – kisha e Martirizimit të shën Gjon Pagëzuesit (e para e ndërtuar në vitin 1976; e dyta në vitin 2015); 6. Osek Hilë – Shën Françeskut (e ndërtuar në vitin 1989; e rinovuar në vitin 2023); 7. Nec – kisha e Shën Sebastianit (e ndërtuar në vitin 1995); 8. Guskë – kisha e Shën Nënë Terezës (e ndërtuar në vitin 1995/96); 9. Qerim – kisha e Shën Nikollës ipeshkëv (e ndërtuar në vitin 2011); 10. Firzë – kapele devocioni në nder të Zojës së Bekuar të ngritur në qiell (e ndërtuar në vitin 2014).
Shënime të shkurtra:
Gjakova si famulli ekzistonte edhe para sundimit otoman, por dhuna e turqve gati e kishte fikur. Meshtarët detyroheshin të strehoheshin jashtë qytetit, në fshatin Zogaj, përtej kufirit të Shqipërisë – por edhe atje ishin martirizuar. Kështu famullitari i Gjakovës don Lukë Kabashi u vra më 30. 06. 1676, e don Andre Giardi Kalimashi, më 19. 02. 1687. Në Gjakovë rezidencën e vet e kishte edhe ipëshkvi i famshëm i Shkupit, mons. Gjon
Nikollë Kazazi (1743-1752). Pasi më 08. 09. 1845. u deklaruan katolike 150 familje laramane të rrethit të Gjakovës (nën ndikimin e fretërve misionarë italianë nga kuvendi i Pejës: fra Dionizit dhe fra Pashkut), në vitin 1851 u përtëri famullia e Gjakovës. E kanë shërbyer së bashku meshtarët dioqezanë dhe ata françeskanë. Françeskanët i shërbenin më së shumti laramanët (dmth. katolikët e fshehtë).
Shërbimi i laramanëve, të cilët ende nuk ishin deklaruar katolikë, vazhdoi me sukses sidomos pas themelimit të shenjtërores së shna Ndout, afër kishës famullitare të Gjakovës, në vitin 1882, nga ana e misionarit françeskan fra Emilio Gabos nga Cles (në Tirol të Italisë), i cili edhe vdiq në Gjakovë më 29. 10. 1893. Në atë shenjtërore ka shërbyer edhe i lumit p. Luigj Paliqi, OFM (1907-1911).
Pas Luftës I. botërore fretërit e Kosovës nuk patën mundësi më të komunikonin me Provincën e vet në Shqipëri. Prandaj Selia e Shenjtë në vitin 1925 i bashkoi fretërit e katër famullive të Kosovës me Provincën e Bonjës, kurse ata të Malit të Zi me Provincën e Zarës. Pastaj pas Luftës II. botërore u vranë shumë fretër të Bosnjës dhe shumë të tjerë u burgosën, kështu që u vështirësua shumë edhe shërbimi i besimtarëve të Kosovës. Në ato rrethana Provinciali i Sarajevës (p. Vitomir Jeličić) dhe ipëshkvi i Shkupit (mons. Smiljan Franjo Čekada) bënë marrëveshje që fretërit t’ia dorëzojnë klerit dioqezan katër famulli të veta: Pejën, Gllogjanin, Zllakuqanin dhe Zymin, e ta pranojnë “in perpetuum” (dmth. për gjithmonë) dhe ta shërbejnë vetëm famullinë e Gjakovës, së bashku me shenjtëroren e shna Ndout në Gjakovë. Atë marrëveshje, të firmosur më 29. 04. 1949 e ka miratuar edhe Selia e Shenjtë. Ajo u realizua disa vjet më vonë, më 04. 10. 1958. – Prej asaj dite fretërit françeskan e shërbejnë famullinë e Gjakovës.