Shërbimi në famulli: Motrat e Zojes se Paperlyer
Famullia e Velezhës, shtrihet në anën veriore të qytetit të Prizrenit, në anën e majtë të rrugës Prizren - Suharekë, rruga e Kombit e ndanë në dy pjesë. Famullinë tonë e përbejnë disa fshatra: Velezha, Shpenadia, Smaqi, Novaka, Caparci, Serbica e Eperme dhe e Ulët, Trepetica, Krusha e Vogël dhe Sallagrazhda. Në kuadër të famullisë, kemi filialën në Sallagrazhdë, komuna e Suharekës. Kisha në Sallagrazhdë i është kushtuar shën Kollit, dhe kremtojmë meshën shenjte çdo të diele, festave dhe të mërkurave. Pastaj, filiala në Serbicë të Ulët me kishën e shën Astit, për momentin e administron famullia e Zymit, dhe në Caparc, kisha e shën Markut.
Velezha për herë të parë përmendet në vitin 1908 si filiale e Prizrenit. Ndërsa si famulli është themeluar në vitin 1919 duke ja kushtuar famullinë shën Kollit të pranverës. Kisha aktuale është ndërtuar në vitin 1958., nga Mons Nikollë Mini. Ajo është kisha e parë e ndërtuar pas Luftës së dytë botërore në Kosovë. Famullia jonë ka shumë intelektualë me profesione të ndryshme, shumë biznesmen të suksesshëm, këtu dhe në diasporë. Famullia jonë i ka dhënë kishës edhe shumë thirrje të shenjta: 2 ipeshkvij Mons Hil Kabashin, tani në pension. Mons Rrok Gjonlleshaj, arqiipeshkev i Tivarit, 5 meshtarë dhe 18 rregulltare në kongregata të ndryshme. Përveç meshës së përditshme gjatë javës, kemi dy meshë të dielave, dhe aktivitete të shumta shpirtërore.
Që nga gushti vitit 2022 famullitar është don Albert Demaj. Në famulli veprojnë motrat françeskane, dy në famulli, dy në Loyola Gymnasium në Prizren dhe një në ambulanten e fshatit që është në kuadër të kishës.
Famullia ka 1200 besimtarë rezidentë dhe rreth 4000 të shpërndarë në vende të ndryshme të Evropës dhe më gjere. Besimtarët tanë e duan Kishën dhe Zotin, duke qenë pjesëmarrës aktivë në jetën pastorale të
famullisë.