Shërbimi në famulli: Motrat Bijat e Dashurisë Hyjnore
Në afërsi të fshatit të Binçës, ndodhet kështjella e vjetër e njohur me emrin, “O Binekses.” Qendra e banuar, me të njëjtin emër, përmendet edhe në periudhën bizantine, më saktësisht përmendet në vitin 1019, dhe i takonte ipeshkvisë së atëhershme të Shkupit. Pra, është e mundur të supozohet se vendi i sotshëm, që quhet ‘Binçë’ ta ketë marrë emrin sipas kështjellës dhe vendbanimit të sipërpërmendur.
Famullia e Binçës u themelua nga dr. Smiljan Franjo Çekada, (1940 - 1967), [ipeshkvi i atëhershëm i Shkupit], me 7 tetor të vitit 1945, pikërisht në 100 vjetorin e fillimit të martirizimit të Martirëve të Karadakut, (1845 - 1848). Kjo famulli përfshin, Binçën, Kabashin dhe Vitin. Fshati Binçë për një kohë ishte pjesë e arqipeshkvisë së Shkupit dhe e bashkuar me famullinë e Letnicës. Famullia e mëvetësishme e Binçës që prej themelimit të saj, në vitin 1945, si fillim ishte pjesë e ipeshkvisë Shkup - Prizren, ndërsa sot është pjesë e ipeshkvisë Prizren – Prishtinë. Për shkak të nevojës për të ndërtuar një kishë famullitare në Binçë, dom Dedë Ramaj, famullitari i Stubllës, që udhëhiqte edhe famullinë e Binçës, krijoj vendimin për nderimin e kishës së re. Ndërtimin e kishës famullitare të shën Ndout të Padovës, e filloi dom Luka Cirimotiq, e vazhdoi dom Vjekoslav Ivanoviq, dhe e përfundoi dom Nikollë Duçkiq. Kisha u bekua dhe u hap për shërbesa liturgjike, në vitin 1972. Populli në Binçë e festonte shën Ndoun e Padovës.