DON PREKË LAZRAJ - Administrator i Kishës "Shënë Mihilli" - Doblibare
Shërbimi në famulli: Motrat Bijat e Dashurisë Hyjnore
Famullia në Doblibarë shtrihet në bregun e djathtë të Drinit të Bardhë, rreth 8 km në verilindje të Gjakovës. Ky fshat i takon rajonit të Dushkajës. Në bazë të disa gjurmëve arkeologjike mund të thuhet se në këtë lokalitet dikur ka ekzistuar vendbanimi i lashtë ilirë, pasi në juglindje të fshatit ende sot nga popullata e vendit është ruajtur toponimi “çereminet” dhe supozohet se aty ka qenë një vendbanim i lashtë.
Disa nga Lagjet e Fshatit janë: Mahalla e Poshtme dhe e Epërme, Mahalla Dodajt, Mahalla Karricajt etj. Ndërsa disa nga Fiset Familjare janë: Zhgjini, Kaçinari, Berisha dhe Mirdita. Disa nga Mikrotoponimet e Fshatit janë: Orize, Kodra e Shën Gjergjit (sa për dijeni ende sot ekzistojnë gurët e Kishës antike), Ara e Bunarit, Ara e Colit, Ara e Mellës, Ara e Plakit, Kisha, Tyrbja etj. Në këtë Fshat janë ruajtur Emërtimet e vjetra: Arat, Mali, Kodra apo Ledinat e Çerkezit, që dëshmojnë se dikur kanë jetuar çerkezët ose kanë qenë prona të ndonjë pronari çerkez. Në Regjistrat e Kishës së Zymit (nga viti 1842 e deri në vitin 1918) ky Fshat është i regjistruar si “Dobrilepara”.
Fshati në vitin 1999 kishte 149 familje me 1250 banorë shqiptarë, ndërsa në luftën e fundit janë strehuar rreth 10.000 refugjatë nga Drenica, Mitrovica, Klina, Hasi, Cermjani dhe Beci.
Banorët e Fshatit janë shpërngulur kryesisht në Amerikë, Australi dhe në shumë shtete të Europës.