Stublla përmendet për herë të parë në shekullin XVI, si vend me një kishë kushtuar Shën Lukës dhe pranë saj një shkollë në formë kolegji. Kjo dëshmon për një traditë të hershme kishtare dhe arsimore në këtë trevë të Malësisë së Shkupit. Si famulli e pavarur, Stublla shpallet në vitin 1905. Deri atëherë ishte filial i Famullisë së Letnicës. Me dekretin e vitit 1905, Imzot Pashk Trokshi, ipeshkëv, e shpalli Stubllën famulli më vete, duke përfshirë në përkujdesjen baritore edhe disa fshatra përreth: Dunavin (filial), Llokmen, Stubllën e Ultë dhe vendbanime të tjera me një numër të vogël besimtarësh katolikë apo kriptokatolikë (larmanë).
Famullitari i parë u emërua Dom Mikel Tarabulluzi (1906–1913). Sipas dëshmisë së tij në librin Missae pro populo et Legata, Paraeciae Filialis S. Josephi Sponsi B.V. Mariae, Stublae 1906–1913, themelimi i famullisë u motivua nga: kushtet e volitshme baritore, numri i konsiderueshëm i (kripto)katolikëve, nevoja për kujdes të vazhdueshëm shpirtëror në kohë të vështira shoqërore e politike, gjendja e rënduar arsimore e popullatës. Duke qenë se Dom Mikeli e njihte mirë këtë rajon nga shërbimi i tij në Letnicë, ai u ngarkua me misionin e organizimit dhe forcimit të jetës fetare e kombëtare. Ai riorganizoi shkollën shqipe, duke e ngritur në kualitet dhe strukturë, që do të njihet si Shkolla e Parë Shqipe Legale në Kosovë, e pranuar dhe financuar nga Austro-Hungaria dhe nga vetë Imzot Pashk Trokshi.
Sot, Famullia e Stubllës numëron rreth 4000 besimtarë, prej të cilëve rreth 85% jetojnë në diasporë – kryesisht në vendet e Bashkimit Europian, ndërsa 15% janë rezidentë në fshat. Ata janë pasardhës të Martirëve të viteve 1846–1848, të cilët dëshmuan me jetën e tyre përkatësinë katolike dhe shqiptare. Kjo trashëgimi martire e këtyre banorëve të krishterë ka frymëzuar një numër të madh thirrjesh meshtarake dhe rregulltare nga kjo famulli.
KISHAT
Në territorin e famullisë ekzistojnë tri kisha:
1. Kisha e Shën Jozefit: Kisha famullitare, e ndërtuar dhe shuguruar në vitin 1970, i kushtohet Shën Jozefit, fati i Virgjërës Mari dhe është pajtor i famullisë. Festa kremtohet më 19 mars.
2. Kisha e Shën Gjergjit: E ndërtuar në vitin 1896, njihet nga besimtarët si “Kisha e Vjetër”. Në të janë kryer shërbimet fetare deri në ndërtimin e kishës së re. Ajo ka shërbyer edhe si shkollë shqipe dhe është shpallur muze i Shkollës së Parë Shqipe Legale në Kosovë, si dhe monument i trashëgimisë kulturore me status të përhershëm të Republikës së Kosovës.
3. Kisha e Shën Anës: Gjendet në fshatin Dunav, filial i Stubllës. E ndërtuar në vitin 1938, sot mesha kremtohet një herë në muaj dhe për festën e saj, për shkak të shpërnguljes së banorëve. Është shpallur monument i trashëgimisë kulturore të Republikës së Kosovës.
ORGANIZMI BARIROR I FAMULLISË
Jeta baritore e famullisë është e strukturuar përmes këshillave, grupeve dhe veprimtarive karitative e kulturore, të cilët me një ndërveprim dhe bashkëpunën kryejnë detyrat e tyre të përcaktuar si më poshtë:
Këshilli i Kishës: përbëhet prej 9 anëtarëve, që përfshijnë lagjet e fshatit. Janë bashkëpuntorë, këshilltarë të famullitarit në organizimin e jetës në famulli. Këshilli i Rinisë: përbëhet prej 5 anëtarëve. Organizon jetën baritore të rinisë në famulli. Katekistët: janë 6 katekistë laikë, të cilët katekizojnë fëmijët dhe të rinjtë e famullisë, bashkë me famullitarin dhe dy murgeshat. Ata janë të përfshirë edhe veprimtari tjera administrative, baritore dhe liturgjike. Kori i Kishës: përbëhet prej të rinjve dhe të rejave të famullisë (rr. 20 veta), të udhëhequr nga motra pianiste, të cilët animojnë meshat dhe kremtimet liturgjike.
Motrat Vinçenciane: janë të pranishme që nga viti 1961. Shërbejnë në baritoren e famullisë dhe në ambulanten e fshatit, që dikur ishte me hapësirë t të vogël në objektet e kishës, kurse tani është në objekt të ri me pajisje të përshtatshme për kohën. Ambulanca është degë e Shtëpisë së Shëndetit “Nënë Tereza” të Vitisë.
Grupi i Grave të Stubllës: Grupi është themeluar në vitin 2023. Ka kryesinë e vetë prej 5 anëtareve dhe ka për qëllim përfshirjen e grave në aktivitetet fetare, bamirëse dhe kulturore.
Legjioni i Marisë: është grupi i lutjes marine në Famulli, që bashkohen në lutje për çdo javë.
Kujdesi Integral shtëpiak: është i përbërë prej tre pjesëve: 1. Kuzhina – e hapur në shtëpinë e Famullisë, përgatit ushqim për të moshuar të vetmuar. Shërbehet dreka nga e hëna deri të shtunën; 2. Kujdesi shëndetësor – konsiston në përkujdesin shëndetësor të të sëmurëve e të moshuarve, që kryet nga motra infermiere që shërben në ambulanten e Stubllës; 3. Kujdesi shtëpiak – personeli i ngarkuar përkujdeset për shërbimet bazike të të moshuarve, punët shtëpiake të pastrimit dhe kujdestarinë.
Qendra Pastorale dhe Kulturore “DOM DOMINIK RAMAJ”: gjendet në oborrin e kishës. Është qendër multifunksionale, e cila përfshin: salla takimesh, Bibliotekën “Dom Mikel Tarabulluzi”, ambient rekreativ, kuzhinë dhe bar, sallë sportive (futboll, tenis dhe basketboll).
Shoqata Kulturore dhe shkencore “DOM MIKEL TARABULLUZI” – është organ i famullisë e regjistruar si OJQ në R. e Kosovës. Shoqata ka qëllim kryesor organizimin e përvjetshëm të “Takimeve të Dom Mikelit”, dhe veprimtari tjera kulturore gjatë vitit në famulli.
Famullia e “Shën Jozefit” në Stubëll mbetet një vatër e gjallë e fesë, kulturës dhe identitetit katolik shqiptar, e ndërtuar mbi dëshminë e martirëve dhe mbi përkushtimin e brezave të meshtarëve, motrave rregulltare dhe laikëve të angazhuar në shërbim të Kishës dhe shoqërisë.
Famullitari aktual: Don Fatmir Koliqi
KONTAKTI
Famullia e “Shën Jozefit”
F.sh. Stubëll e Epërme
61000 Viti
Web: https://www.stublla.online/
Tel: +383 49 174 790
E-Mail: fatmir.koliqi@hotmail.com