Shërbimi në famulli: Motrat Franceskane të Zojës së Papërlyer
Iniciativa për ndërtimin e kishës së Pjetërshanit lindi nga famullitari i atëhershëm i Kishës së Bishtazhinit, Don Milorad Defari. Arsyeja kryesore për ndërtimin e një kishe në Pjetërshan ishte largësia që kishin banorët e fshatrave Dol, Pjetërshan dhe Kusar për të marrë pjesë në meshë dhe për të kryer kremtimet liturgjike të tjera fetare.
Mesha e parë për besimtarët e kësaj zone u kremtua në pranverën e vitit 1984, në livadhin e Llesh Prenit. Në mungesë të një kishe, u vendos që përkohësisht të përdorej një objekt privat për kryerjen e kremtimeve fetare. Këtë objekt e vuri në dispozicion Zef Pren Nrecaj nga fshati Pjetërshan. Renovimi dhe përshtatja e objektit për nevoja liturgjike u realizua kryesisht nga këshilltarët e atëhershëm të kishës.
Në vitin 1986 objekti ku kryheshin kremtimet liturgjike fetare u dëmtua dhe më pas u shit. Për këtë arsye shërbimet fetare filluan të mbaheshin në një lokal tjetër, të cilin e vuri në dispozicion Prenk Simoni (Tini). Shërbimet fetare në këtë lokal vazhduan deri në ndërtimin e kishës së sotme.
Po në vitin 1986 në shërbim meshtarak në Pjetërshan erdhi Don Viktor Sopi, ndërsa herë pas here meshën e kremtonte edhe Don Mikel Sopi. Gjatë kësaj periudhe mesha kremtohej një herë në javë.
Në të njëjtin vit, Llesh Simoni dhuroi 30 ari tokë për ndërtimin e kishës. Përveç kësaj, 20 ari tokë u blenë nga komuniteti i fshatrave Dol, Pjetërshan dhe Kusar, ndërsa 10 ari të tjera u blenë me mjete financiare të dhuruara nga Ipeshkvi Shkëlqesia e Tij, Imzot Dodë Gjergji.
Në vitin 1987 filluan punimet për ndërtimin e kishës në Pjetërshan. Mesha e parë në Kishën e “Shën Jozefit” u kremtua në vitin 1990. Në vitin 2002 shërbimin meshtarak në këtë famulli e mori Don Fran Kola. Gjatë shërbimit të tij u realizua renovimi i pjesës së jashtme të kishës. Në vitin 2006 meshtar në Kishën e Shën Jozefit erdhi Don Tom Karrica, gjatë shërbimit të të cilit u realizua renovimi i brendshëm i kishës. Pas Don Tom Karricës shërbimin meshtarak e vazhdoi Don Marjan Ukaj. Ndërsa nga Shtatori i vitit 2025 shërben Don Marjan Topalli.
Ndërtimi dhe renovimet e Kishës së Shën Jozefit në Pjetërshan janë realizuar falë kontributit vullnetar të besimtarëve të fshatrave Pjetërshan, Dol, Kusar dhe Raqë. Të dhënat për historikun e Kishës së “Shën Jozefit” në Pjetërshan janë siguruar kryesisht nga ish-këshilltarët e kësaj kishe, veçanërisht nga Nue Gjini dhe Musë Gjini.