Shërbimi në famulli: Motrat Françeskane të Zojës së Papërlyer
Predikimi në zonën e lugut të Drinit ka filluar qysh në mesin e viteve 1800, atëherë kur jezuitët kalonin dhe predikonin, administronin sakramentet, në kuadër të të ashtuquajturave “missione volanti” (misionet fluturuese/lëvizëse), sepse kalonin nga një vend në një tjetër, duke mos pasur një vend qëndrimi të përhershëm. Në vitin 1897 etërit françeskanë, në krye me Atë Shtjefën Gjeçovin, ndërtuan shtëpinë në Zllakuqan. Shtëpi kjo që do të përdorej edhe si Kishë për ritet fetare edhe si shkollë për nxënësit e këtyre zonave. Dhe kjo shkollë, konsiderohet si shkolla e parë shqipe në Lugun e Drinit.
Në vitin 1922, Argjipeshkvi i atëhershëm, Imzot Lazër Mjeda, ndau famullinë nga jurisdiksioni i Pejës duke e krijuar kështu famullinë Shën Gjon Pagëzuesi në Zllakuqan, famulli kjo ndër më të vjetrat që kemi në Dioqezën tonë. Kisha aktuale ka filluar ndërtimin në vitin 1924 dhe ka përfunduar në vitin 1933. Deri në vitin 1958 famullia është drejtuar dhe udhëhequr nga Etërit Françeskanë e pastaj është marrë nën drejtimin e klerit Dioqezan. Meshtari i parë dioqezan ishte don Pjetër Berisha. Deri në vitet 80-ta famullia e Zllakuqanit përfshinte mbarë zonat e Lugut të Drinit, me të gjitha fshatrat dhe vendbanimet e pastaj prej saj janë ndarë edhe dy famullitë tjera të Dioqezës, famullia e Klinës dhe famullia e Budisalcit. Aktualisht, famullia në Zllakuqan përfshin 11 fshatra brenda territorit të saj dhe shtrihet mes komunave të Klinës dhe Istogut. Prej viteve 70-ta në këtë famulli kanë shërbyer motrat Vinçenciane, ndërsa prej vitit 2019 shërbejnë motrat Françeskanë të Zojës së Papërlyer.