Shërbimi në famulli: Motrat - Bijat e Dashurisë Hyjnore
Kisha në Ferizaj është njëra nga qendrat më të rëndësishme shpirtërore, historike dhe kulturore të qytetit dhe më gjerë. Është monument i trashëgimisë kulturore dhe pikë turistike e qytetit. Që nga themelimi i tij në vitin 1992, këtu ndodhet edhe selia qendrore e Caritas Kosova. Fillet e famullisë datojnë nga viti 1896 dhe është pjesë identitare për qytetin, e cila ka luajtur rol të pazëvendësueshëm nga fillimi i shekullit XX (shkolla shqipe pranë Kishës, organizimi i memorandumit të 5.05.1930 në Ligën e Kombeve në Gjenevë), gjatë viteve 1980-ta e 1990- ta, deri tek vitet e para, gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë. Jeta e kësaj famullie lidhet ngushtë me gjithë ipeshkvijtë: Imzot Gnidovec, para një shekulli e ngriti kishën ekzistuese dhe shtëpinë famullitare; Imzot Çekada për një periudhë shërbeu edhe si drejtues i kësaj famullie; Imzot Prela për afro tri dekada qëndroi dhe veproi në këtë famulli; Imzot Mark Sopi, sekretar i ipeshkvit dhe famullitar në Ferizaj; Imzot Lucjan Avgustini, për vite famullitar në vendlindjen e tij në Ferizaj; Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv aktual i Dioqezës Prizren-Prishtinë, familja e të cilit jeton në këtë famulli. Famullia shquhet edhe për bijtë e saj, siç janë: I lumi Shtjefen Kurti, martir dhe ish-famullitar, i shpallur i lum nga Kisha në vitin 2016; Dr. Gasper Gjini; Mons. Nikollë Mini; Dom Jak Prenku; Imzot Lucjan Avgustini; Dom Alfred Koliqi. Ipeshkvi ynë, Imzot Dodë Gjergji; Dom Shan Zefi e dom Kolë Zefi (familjet e të cilëve jetojnë në këtë famulli); Dom Jakov Gollomeiq, me shërbim në Kroaci. Aktualisht, famullia ka dhjetë rregulltare në pesë kongregata te ndryshme dhe një kandidat në përgatitje për meshtar.
Viti 2026 shënon 135-vjetorin e themelimit dhe 100-vjetorin e kishës ekzistuese. Kështu që famullia ndodhet në një kohë të veçantë lutjeje dhe falënderimi. Në saje të këtij jubileu, prej tre vitesh janë duke u realizuar restaurime rrënjësore në të gjithë kompleksin famullitar nga ana e MKRS ne bashkëpunim me Famullitarin.