Një udhëheqës shpirtëror dhe shërbëtor i komunitetit katolik

DODË GJERGJI, është aktualisht ipeshkëv i Kosovës, saktësisht me titullin Kishtar ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtinë. Ka lindur më 16 janar 1963 në fshatin Stubëll (Viti). Shkollën fillore e ka filluar në vendlindje dhe e ka përfunduar në Ferizaj, gjimnazin klasik "Paulinum" në Suboticë, kurse studimet filozofike-teologjike i ka përfunduar në Zagreb të Kroacisë. Në vitin 1989 merr shugurimin meshtarak. Pas Shugurimit ka shërbyer në Ferizaj, si koredaktor i shtëpisë botuese Drita, në vitin 1991 rikthehet në Zagreb, si misionar për shqiptarët në Kroaci, ku edhe ka filluar studimet postdiplomike. Në vitin 1994 shkon si prift vullnetar në Shqipëri, ku për 6 vite udhëheq famullinë e Shën Eufemisë në Kallmet (Lezhë), në vitin 1997 emërohet zëvendës ipeshkëv i Lezhës. Në vitin 1999 Papa Gjon Pali i II-të e emëron administrator apostolik të dioqezës së Sapës. Në fillim të vitit 2006 shugurohet Ipeshkëv i dioqezës së Sapës. Në vitin 2007, Papa, Benedikti XVI e emëron administrator i Administraturës Apostolike të Prizrenit, Kosovë. Nga viti 2017 është ipeshkëv i dioqezës Prizren Prishtinë, që mbulon gjithë territorin e Kosovës. Ka qenë pjesë e redaksisë së revistës "Drita", përgjegjës për botimet e librave liturgjik në gjuhën shqipe, që në vitet e para të meshtarisë. Si profesor ka ligjëruar në Institutin Kombëtar Katekistik në Shkodër. Përveç mesazheve baritore, konferencave dhe intervistave në gjuhë të ndryshme, ka shkruar "Shërbejmë me përvujtëri e kumtojmë me hare", udhëzues baritor 2015-2020 – Drita 2014, dhe "Rrëfimi i një shtegtari''. Një javë në Kalkuta, Drita 2018, përshkrim i shtegtimit në Kalkutën e Nënë Terezës. Ka shkruar librin ''Dritoni'', ku ka rrëfyer jetën dhe veprën e Imzot, Llucian Avgustinit. Së fundmi ka shkruar trilogji ''Kthimi'' në 3 volume. Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri nga viti 1994 e deri në vitin 2007 përveç detyrave dhe shërbesave të drejtpërdrejta kishtare ka qenë atë shpirtëror i kolping Albania, President i Caritasit të Shqipërisë, sekretar i Konferencës Ipeshkvnore dhe disa detyra tjera.