Lajme

Imzot Dodë Gjergji uroi kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji me bashkëpunëtorët e tij, në orën 09:15 vizitoi selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, ku përmes myftiut Tërnava u përcolli urimet të gjithë besimtarëve myslimanë në Kosovë për festën e Bajramit të Madh.
Gjithashtu Ipeshkvi falendëroi zt. Tërnava për pjesëmarrjen e tij me bashkëpunëtorët e vet në Katedralen e re të kryeqytetit me rastin e Jubileut të 100 vjetorit të lindjes së të Lumes Nënë Terezës, që u kremtua më 5 shtator 2010.
“Të gjithë kemi qenë në festë këto ditë edhe katolikët edhe myslimanët, kështu që edhe kjo dëshmi është që ne të festojmë së bashku në praninë e njëri-tjetrit. Është një dëshmi e fuqishme që do të ecim gjurmëve të të parëve tanë, për t’i dhënë kuptim të mirë gjithmonë pranisë dhe bashkëjetesës tonë si vëllezër me njëri-tjetrin me çka urojmë edhe familjeve tona katolike dhe myslimane që të urojnë njëri-tjetrin dhe të festojnë së bashku” përfundoi Imzot Dodë Gjergji.